Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Kryevepra të kulturës muzikore bullgare:

“Atdheu im, Bullgaria ime”

Emill Dimitrov
Foto: arkiv

"Ma dhemb shpirti kur bashkatdhetarët tanë në të gjitha kontinentet lotojnë kur këndoj “Atdheu im”. Ata flasin dhe këndojnë për atdheun, me lot në sy. Kurse drejtuesit tanë nuk e duan atë me zemër..." – thoshte që kur ishte gjallë Emill Dimitrov, kompozitor dhe interpretues i një prej himneve jozyrtare të Bullgarisë. Gjatë dekadave të suksesit të tij skenik dhe krijues, ai ishte një idhull absolut, ndoshta i vetmi artist bullgar që jetonte si një yll i vërtetë, në stilin e jetës që shohim në Hollywood. Kishte një “ekip” prej disa vetash që kujdeseshin për jetën e tij të përditshme, ndërsa ai kishte vetëm një detyrë: të krijonte dhe t’i sillte gëzim publikut.

Këngëtari me bashkëshorten e tij Marieta dhe djalin e tyre Emill

“Nuk kërkonte kurrë publicitet apo reklamë, jetonte në botën e tij. Dhe, ndër të tjera, dashuria e tij për Bullgarinë ishte shumë e madhe – sepse pati mijëra mundësi të qëndronte jashtë dhe të vazhdonte karrierën ndryshe, por gjithmonë kthehej” - thotë djali i tij, Emill Dimitrov (i biri), në një intervistë për një nga gazetat e kryeqytetit.Sipas kompozitorit të njohur bullgar Mitko Shterev, Emill Dimitrov është thjesht… një gjeni. Sepse ai ishte krijuesi dhe interpretuesi i këngëve të para bullgare që këndoheshin nga të gjithë.

Emill Dimitrov i biri

Këngët e para të tij nuk tingëllojnë pompoze, akademike, siç ishte tipike për stilin mbizotërues në vitet 50-të dhe 60-të të shekullit XX. Autori i tyre nuk kishte arsim muzikor zyrtar, por këndonte shkëlqyeshëm, luante në mënyrë të mrekullueshme në fizarmonikë dhe ishte i pajisur me një talent të jashtëzakonshëm melodik dhe një karizëm të rrallë.Cilësitë e tij u vlerësuan nga Vasill Andreev – aktor në trupën e Teatrit të Rinisë, me talent poetik dhe një ndjeshmëri të theksuar ndaj zhvillimeve në art dhe shoqëri. Andreev ndjente nevojën për një repertor bullgar në zhanret popullore muzikore dhe vlerësoi potencialin e Emill Dimitrovit, i cili, përveçse luante fizarmonikë, kishte filluar të krijonte edhe këngë të veta me karakter sentimental e melankolik. Gjatë sezonit teatror të viteve 1959–1960, në Teatrin e Rinisë u vu në skenë një pjesë autoriale e Vasill Andreevit, i cili i propozoi Emilit të komozonte muzikën për shfaqjen. Kjo shënoi hyrjen e Emill Dimitrovit në karrierën brilante si kompozitor dhe këngëtar.

Emill Dimitrov në koncert në sallën „Universiada“ në Sofje, viti 1968

Në vitin 1960, kur ishte 19-vjeçar Emill Dimitrov u pranua në Akademinë Shtetërore të Teatrit dhe Filmit “Krastjo Sarafov” me specializim në mjeshtërinë prej aktori, por së shpejti e braktisi arsimin e lartë. Koncerti i parë, në të cilin ai mori pjesë u zhvillua në nëntor të po atij viti. Më 24 dhjetor 1960, Emill Dimitrov për herë të parë prezantoi para publikut këngën e tij origjinale “Arlekino”, e cila gjatë verës së vitit 1962 fitoi çmimin e tretë në Festivalin Ndërkombëtar të Këngës në Sopot (Poloni). Kjo ishte çmimi i parë ndërkombëtar për një këngë bullgare. Me shfaqjen e këngëve “Arlekino”, “Sinjali ynë” dhe “Lamtumira e Marinarit”, bullgarët morën hitet e tyre në gjuhën amtare. Në vitin 1965 doli në treg pllaka e parë e madhe e gramafonit me këngë të Emill Dimitrovit — e para e këtij lloji për një këngëtar pop në Bullgari. Në vitin 1968, ai dha një koncert legjendar në stadiumin “Dinamo” në Moskë para 80 000 shikuesve. Një vit më vonë, në vitin 1969 filloi të këndonte edhe në Francë.

Viti 1970 ishte viti kur u realizua albumi i tij i tretë në studio, i cili nis me hitin me të njëjtin emër — “Vendi im”, me tekst të Vasill Andreevit, orkestrim të Mitko Shterevit dhe interpretim të vet Emill Dimitrovit me orkestrën “Blu e bardhë”. Kënga u regjistrua edhe në frëngjisht, dhe më pas në gjermanisht, italisht dhe spanjisht me titullin “Monika”, duke u kthyer në një hit evropian. Sipas dëshmive të autorit të tekstit në bullgarisht, Vasill Andreev, një menaxher francez e pëlqeu shumë veprën dhe pyeti për tematikën e saj. Përkthimi e bindte se me tekstin origjinal kënga nuk mund të shitej në Francë. Shpejt Andreevi propozoi një zëvendësim — në vend të “Bullgarisë” të përmendej “Francë”, por menaxheri nuk e pranoi idenë. Atëherë Andreevi bëri një propozim tjetër, dhe kënga, që në origjinë ishte një përkushtim nostalgjik për Bullgarinë, u shndërrua në një rrëfim sentimental për vajzën Monika. I biri i kompozitorit pohon se titulli i parë ishte “Kënga për vendin tim” dhe se për herë të parë kënga u interpretua dhe u regjistrua nga Emill Dimitrov në frëngjisht në Paris, në versionin “Monika”. Janë të njohura edhe versionet e saj në letoneze dhe japoneze, si dhe një variant amerikan ku këndohet “Dua të kthehem në Kaliforni”.

Emill Dimitrov nuk mori asnjëherë njohje zyrtare nga Lidhja e Kompozitorëve Bullgarë, por u pranua si anëtar në një shoqatë profesionale të ngjashme në Francë. Këngët e tij zunë vendet e para në klasifikimet muzikore në mbarë botën. Në vitin 1980, me rastin e 40-vjetorit të lindjes dhe 20-vjetorit të nisjes së karrierës së tij artistike, u organizua një gala-koncert në sallën “Universiada”, ku morën pjesë yjet më të ndritur të skenës bullgare: Vasill Najdenov, Margarita Hranova, Grupi “Signall” etj. Po atë mbrëmje, Emill Dimitrovit iu dorëzua një pllakë e artë gramafoni për kontribut të veçantë në muzikën e estradës — e para pllakë e artë e dhënë ndonjëherë për një këngëtar pop në Bullgari.

Gjatë katër dekadave të karrierës së tij artistike, Emill Dimitrov incizoi 30 albume, shiti 65 milionë kopje prej tyre, krijoi 350 këngë dhe dha mbi 7000 koncerte në tre kontinente. Megjithatë, ai kurrë nuk u nderua me titullin “Artist i Popullit”, por në vitin 2000, kënga e tij “Vendi im” u shpall Kënga e Shekullit në Bullgari, së bashku me “Një trëndafil bullgar” të kompozitorit Dimitër Vëllçev. Ndërsa në vitin 2010, himni i Dimitrovit kryesoi klasifikimin e ri të BG Radios “1000 më të mëdhatë”. Sot, kjo këngë e Emill Dimitrovit, i quajtur shpesh “Frank Sinatra i Lindjes”, është bërë simbol i shpirtit bullgar, i dashurisë për atdheun dhe i nostalgjisë së bashkëkombësve tanë në mërgatë.

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova

Foto: arkiv, arkiv personal, BGNES




Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Krum Jankov

"O Stoene, biri im Stoene" – një kujtim i këngëtarit popullor dhe fizarmonistit Krum Jankov

Sot festojmë 95-vjetorin e lindjes së këngëtarit popullor dhe fizarmonistit Krum Jankov. Ai lindi më 11 shtator 1930 në fshatin Dobrallëk të malit të Rodopeve dhe tregoi që në fëmijëri interes për fizarmonikën. Vendimtare për formimin e tij si muzikant..

botuar më 25-09-11 6.10.PD

DARA dhe Kamen & Rusto me një version modern për klube të hitit "Mos"

Duke incizuar këngë të reja, DARA kthehet edhe te hitet e saj të mëparshme. Tetë vite pas premierës, një nga këngët më të njohura të saj – "Mos" – rikthehet me një version modern për klubet. Në këtë aranzhim, tandemi i DJ-ve Kamen & Rusto..

botuar më 25-09-10 8.10.PD

Trioja me famë botërore Maharaxh vjen në skenën bullgare

Midis datave 10 dhe 14 shtator, publiku në qytetet Pernik, Sapareva Banja, Sofje dhe Plovdiv do të ketë mundësinë të dëgjojë trion indiane të famshme botërisht "Maharaxh" – një formacion me një biografi krijuese të jashtëzakonshme. Prabhash Maharaj –..

botuar më 25-09-10 5.45.PD