I konsideruar krijues i muzikës pop moderne bullgare dhe "patrik" i këngës së lehtë, Josif Cankov mbetet një nga figurat më të rëndësishme të skenës muzikore zbavitëse në Bullgari, me një trashëgimi të pasur jo vetëm për nga vëllimi, por edhe për nga vlerat artistike. Biografia e tij krijuese përfshin mbi 500 vepra: opereta, muzikë instrumentale, vallëzimi, filmike dhe teatrore, këngë zbavitëse dhe pop.
I arsimuar në kolegjin e njohur amerikan "Robert College" në Stamboll dhe i diplomuar për drejtësi në Universitetin e Sofjes, Josif Cankov lindi në vitin 1911, në një nga familjet më të pasura dhe kulturuara të qytetit kozmopolit Ruse. Në shtëpinë e prindërve të tij flitej frëngjisht, gjermanisht dhe anglisht; aty luhej piano dhe zhvilloheshin biseda për artin, letërsinë dhe filozofinë. Nëna e tij ishte gruaja e parë në Bullgari që ngiste një makinë. Ndërsa i ati dhuroi truallin ku u ndërtua kinemaja e parë në Ruse. Djali i tyre, Josif, tregoi herët një shumësi talentesh dhe interesash të larmishme. Në Stamboll u pasionua pas basketbollit, dhe pas kthimit në atdhe u bë bashkëthemelues i ekipeve kombëtare bullgare të basketbollit për meshkuj dhe për femra.Ai mbeti një filatelist i pasionuar deri në fund të jetës.
Me muzikë nisi të merrej që në moshën 6-vjeçare, dhe kur ishte 11 vjeç bëri përpjekjet e para për të kompozuar, ndërsa rreth moshës 19-vjeçare krijoi këngën e tij të parë autoriale me titull "Eja me mua në Havai".Për herë të parë tangoja e tij u incizua në pllakë gramafoni në vitin 1933, ndërsa në dhjetë vitet e mëtejshme në treg dolën mbi 200 kompozime të Cankovit. Ai ishte autor i muzikës për një film shkencor dhe për një shfaqje të Teatrit Kombëtar. Në vitin 1936, ishte ndër themeluesit e Radios Kombëtare Bullgare dhe dha idetë për shumë transmetime muzikore dhe fëmijësh në radio. Nga viti 1937 deri në 1941, kompozitori punoi intensivisht për teatrin shumë të njohur muzikor "Odeon" dhe krijoi disa opereta të suksesshme. Përveç kësaj, kompozoi një numër të madh valsesh, fokstrotesh, rumbash dhe tangosh. Ai është autor i muzikës dhe tekstit të njërit nga hitet më të dashur, interpretuar nga Asparuh Leshnikov - "E dua me pasion gratë".
Kompozitori ishte gjithashtu bashkëpronar dhe drejtor i fabrikës së parë bullgare për pllaka gramafoni. Pas 9 shtatorit 1944, pushteti i ri i nënshtroi represionit të gjithë ata që konsideroheshin si të pasigurt politikisht për shkak të prejardhjes së tyre. Veprimtaria krijuese e Josif Cankovit u kufizua ndjeshëm. Muzika e tij, e cilësuar si “borgjeze”, nuk transmetohej më në radio, dhe u ndalua ekzekutimi i saj në teatro dhe lokale. Vetëm në fillim të viteve 50-të të shekullit XX situata filloi të ndryshojë. Ndryshe nga kolegu dhe bashkëpunëtor i tij, Asparuh Leshnikov, i cili nuk arriti kurrë të “përshtatej” me kërkesat e reja shoqërore dhe kulturore, Josif Cankov u emërua në punë në kompaninë e re të sapokrijuar të regjistrimeve muzikore “Ballkanton”. Sipas disa njohësve të kohës, ky emërim ndodhi falë mbështetjes personale të kompozitorit të famshëm sovjetik, Aram Haçaturian.
Këngët e tij më të bukura u krijuan gjatë viteve 60-të të shekullit të kaluar, në bashkëpunim me poetët Dimitër Vasilev dhe Dimitër Toçev, dhe u interpretuan nga yje të muzikës pop bullgare si Margret Nikollova, Georgi Kordov, Lili Ivanova dhe Pasha Hristova. Në edicionin e vitit 1967 të Festivalit Ndërkombëtar “Orfeu i Artë”,juria e konkursit për këngë pop bullgare refuzoi të dekorjë këngën e mrekullueshme “Kënga ime, dashuria ime” me tekst të Dimitër Vasilevit, pavarësisht vlerësimit të lartë të publikut.E njëjta gjë ndodhi dy vjet më vonë, kur Lili Ivanova prezantoi “Deti i rinisë” me poezi të Dimitër Toçevit.Vetëm në vitin 1970, kënga “Fryj, erë” me muzikë të Josif Cankovit, tekst të Dimitër Vasilevit dhe orkestrim të Nikollaj Arabaxhievit, në interpretimin e magjepsës të Pasha Hristovës, fitoi Çmimin e Madh të festivalit.
Veprat e Cankovit u interpretuan dhe u incizuan nga yje si Zhozefin Bejker, Kllaudio Vila, Arturo Testa, Zigfrid Valendi dhe Zhilber Beko. Sot, këngë si "Rrezet e Hënës", "E Shtuna në Mbrëmje", "Pranvera ime", "Këndojnë njëqind kitara", "Më puth", "Re të pastreha" nuk janë vetëm kujtime nga rinia e brezit më të vjetër bullgar, por edhe frymëzim për këngëtarë të rinj, të cilët shpesh i sjellin në versione bashkëkohore me aranzhime dhe përpunime të reja. Por "Kënga ime, dashuria ime" mbetet ndoshta hiti më i dashur, më i dëgjuari dhe më me rëndësi jo vetëm në krijimtarinë e Josif Cankovit dhe në repertorin e këngëtares së njohur bullgare Jordanka Hristova, por edhe në muzikën bullgare në përgjithësi. “Kjo këngë më ndjek kudo, është gjithmonë me mua, është emblema ime, siç thuhet – marka ime e regjistruar. Madje disa gazetarë më quajnë “Zonja Kënga ime, dashuria ime, gjë që më lartëson”, rrëfen në një intervistë për bTV këngëtarja Jordanka Hristova. Ajo e quan Josif Cankovin “figurë gjigante, shumëdimensionale dhe kaq domethënëse", dhe pranon se e adhuron këngën. “Ajo tingëllon kudo, të prek! Sepse nuk ka të bëjë vetëm me jetën personale... ka një mesazh shumë më të madh, më njerëzor, më universal. Është një këngë e jashtëzakonshme: Kënga ime, dashuria ime – pikë! Nuk ka nevojë për shpjegime...”
Lexoni më shumë nga arkivi i Radio Bullgarisë:
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: Arkiv (Radio Sofja)
Dimana Mirçeva, e njohur si DIA, tërhoqi vëmendjen si nxënëse në Shkollën Kombëtare të Muzikës "Ljubomir Pipkov" në Sofje, kur interpretoi këngën e saj të parë origjinale.Që atëherë, ajo i interpreton këngët e saj me respekt për folklorin..
Muzika... Arti që na shoqëron gjatë gjithë jetës sonë, në jetën e përditshme dhe në festa. Na çon përmes saj, na e tregon në një mënyrë më të bukur dhe kuptimplotë. Krijon dhe ngjall kujtime, rrit emocionet dhe së fundmi - tregon histori...
Orkestra Simfonike e Radios Kombëtare Bullgare, me dirigjentin kryesor Konstantin Ilievski , po e nis sezonin e saj të ri krijues me një koncert festiv në Sallën "Bullgaria" të kryeqytetit më 1 tetor - data e shpallur nga UNESCO si Dita..
Dimana Mirçeva, e njohur si DIA, tërhoqi vëmendjen si nxënëse në Shkollën Kombëtare të Muzikës "Ljubomir Pipkov" në Sofje, kur interpretoi këngën e..