Martiret e Shenjta Vjara (Besa), Nadezhda (Shpresa) dhe Ljubov (Dashuria) ishin tri motra të lindura në Romë në shekullin II. Nëna e tyre, Shën Sofia, ishte një vejushë e devotshme dhe e krishterë, e cila i rriti bijat e saj në dashuri për Zotin Jezu Krisht. Ajo ua dha emrat sipas tri virtyteve të mëdha të krishterimit: besimi, shpresa dhe dashuria, duke i edukuar me frymë të fortë shpirtërore.
Motrat dhe nëna e tyre nuk e fshihnin besimin e tyre dhe e dëshmonin hapur. Kur perandori Adrian (117–138) mori vesh për to, urdhëroi t’i sillnin para tij. E gjithë oborri perandorak u habit nga qetësia dhe paqja me të cilën familja e shenjtë u paraqit — si të ftuar në një festë të ndritur, jo në tortura. Adriani u përpoq t’i bindte vajzat një nga një që t’i ofronin flijime perëndeshës Artemis, por ato refuzuan me vendosmëri. Në atë kohë, Vjara ishte 12 vjeç, Nadezhda 10 dhe Ljubov vetëm 9. Perandori urdhëroi tortura të tmerrshme, por Zoti, me fuqinë e Tij të padukshme, i mbrojti. Motrat duruan dhimbje çnjerëzore pa u lëkundur nga besimi i tyre dhe e pranuan me gëzim martirizimin. Në fund, perandori urdhëroi që të priteshin kokat e tyre.
Shumë nga ata që panë qëndresën e tyre të patundur, besuan në Krishtin.
Por më e rënda ishte për Shën Sofia, e cila nuk u torturua fizikisht, por u detyrua të shihte vuajtjet dhe vdekjen e bijave të saj. Për ta sfilitur shpirtërisht, perandori i lejoi të marrë trupat e tyre dhe t’i varrosë. Ajo i çoi në një vend të ngritur mbi qytet, i varrosi, dhe qëndroi tri ditë mbi varrin e tyre në lutje, derisa edhe ajo ia dorëzoi shpirtin Zotit. Kjo ndodhi në vitin 126 pas Krishtit. Të krishterët e varrosën pranë bijave të saj.
Lipsanet e shenjtoreve u transferuan nga Roma në Elzas (Francë) në vitin 777, në kishën e fshatit Esho, ku ruhen edhe sot.
Lexoni më shumë nga arkivi i Radio Bullgarisë:
Përpilues: Ekipi i Radio Bullgarisë me ndihmën e Aleksandra Karamihaleva, kryeredaktore e "Gazetës së Kishës"
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: arkiv
Më 29 qershor, Kisha ka vendosur të kremtojë njëkohësisht kujtimin e Apostujve të mëdhenj Pjetrit dhe Palit, të cilët ajo i quan "kryeapostuj të parë" dhe "mësues të gjithësisë". Të dy apostujt u përkushtuan shumë për përhapjen e Fjalës së Zotit,..
Një jetë mes librave, fjalëve dhe urtësisë – kështu mund të përshkruhet rrugëtimi i përkthyeses së njohur Janka Trifonova Selimi, e cila në moshën 90-vjeçare vijon të sfidojë kohën me pasionin dhe përkushtimin e saj ndaj letërsisë. Janka Selimi..
Më 24 qershor, Kisha Ortodokse kremton me nderim të madh Lindjen e Shën Gjon Pagëzorit, i njohur në traditën popullore si Enjovden. Ky është një nga shenjtorët më të mëdhenj të krishterimit, i vlerësuar menjëherë pas Hyjlindëses Mari, si më i madhi..