Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Gjuha bullgare mund të sjellë sukses profesional në SHBA

Trembëdhjetë shtete amerikane e njohin certifikatën bullgare për dygjuhësi

Foto: absa-association.org

E ashtuquajtura “Vulë e dygjuhësisë” u krijua në vitin 2011 në shtetin amerikan të Kalifornisë me idenë se, në kushtet e një ekonomie dhe marrëdhëniesh të globalizuara, një person nuk mund ta zhvillojë plotësisht potencialin e tij duke ditur vetëm një gjuhë. Falë këtij programi, i cili njihet në shumë vende të Shteteve të Bashkuara, gjuha bullgare renditet ndër gjuhët që mund të sjellin sukses profesional dhe akademik.
Daniella Sirakova
“Ideja për zhvillimin e një provimi në gjuhën bullgare, i cili ka kreditet e tij në sistemin arsimor amerikan dhe lidhet me një institucion arsimor bullgar – Departamenti për Mësimin e Gjuhëve në Universitetin e Sofjes ‘Shën Kliment Ohridski’, filloi që në vitin 2015 me nismën e atëhershme të drejtoreshës së Shkollës Bullgare ‘John Atanasov’ në Çikago, Bojanka Ivanova,” – thotë Daniella Sirakova, përgjegjëse e shërbimit konsullor në Nju Jork. – “Testi i gjuhës bullgare, i propozuar nga departamenti, u miratua më pas nga bordi arsimor i shtetit dhe në vitin 2017 Ministria e Arsimit dhe Shkencës mbështeti njohjen e tij si provim që vërteton njohuritë në Shtetet e Bashkuara. Marrëveshja e nënshkruar i jep të drejtë Departamentit për Mësimin e Gjuhëve të vlerësojë zotërimin e gjuhës bullgare nga nxënësit dhe studentët që jetojnë jashtë vendit. Po ashtu, çdo shkollë bullgare jashtë vendit mund të shndërrohet në një qendër provimi për gjuhën bullgare.”

Vula e dygjuhësisë – një njohje ndërkombëtare që i shtohet diplomës së arsimit të mesëm dhe ka vlefshmëri të pacaktuar – sjell një sërë përparësish, përfshirë edhe gjatë aplikimit në universitet, pasi shumë nga të rinjtë që jetojnë në Shtetet e Bashkuara flasin vetëm anglisht.

“Nxënësit që kanë marrë certifikatën në SHBA tregojnë se pikërisht gjuha bullgare i ka ndihmuar të pranohen në universitet për të studiuar ‘Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Politikë,” – thotë diplomatja. – “Gjuha jonë konsiderohet si një nga gjuhët e rralla dhe kjo rezulton të jetë një thesar i vërtetë, sepse u sjell atyre pikë shtesë. Për më tepër, në shumë universitete ajo njihet edhe si provim i dhënë, gjë që sjell kredite shtesë dhe kursen kohë.”

Me vulën e dygjuhësisë arrihet edhe një qëllim tjetër i rëndësishëm – motivimi i brezit të ri të bullgarëve në mbarë botën që të mësojnë gjuhën e paraardhësve të tyre dhe të ruajnë hapësirën kulturore e shpirtërore bullgare jashtë vendit. “Kjo arritje do të mbetet përgjithmonë në historinë e emigracionit bullgar,” beson Daniella Sirakova.

Rreth 300 – 400 të rinj bullgarë vetëm nga Bregu Lindor janë përfshirë deri tani në mundësinë për të marrë certifikatën e dygjuhësisë. Shumica e nxënësve që përfundojnë shkollat e së dielës në gjuhën bullgare marrin pjesë në provime, duke qenë të vetëdijshëm për përparësitë jo vetëm në lidhje me pranimin në universitete, por edhe për zhvillimin e tyre të ardhshëm profesional.

Deri më tani, trembëdhjetë shtete amerikane e kanë njohur vulën bullgare të dygjuhësisë, ndër to Maryland, Virginia, Washington D.C., Massachusetts dhe Karolina e Veriut.

Sipas diplomates, njohja e gjuhës bullgare edhe në vende të tjera të botës duhet të kthehet në prioritet të jashtëzakonshëm në politikën tonë të jashtme, veçanërisht përmes përfaqësive diplomatike, sepse kjo i motivon të rinjtë bullgarë dhe u sjell atyre suksese jashtë vendit. Po në cilat fusha mund të zhvillohen ata?

“Mund të arrijnë pafundësisht shumë gjëra,” – përgjigjet Daniella Sirakova. – “Edhe pse bullgarishtja nuk është një gjuhë e njohur gjerësisht, ajo u jep atyre mundësinë të dallohen nga të tjerët. Shumica e atyre që flasin gjuhë të huaja këtu dinë spanjisht ose gjermanisht, ndërsa gjuhët e Evropës Lindore renditen mes atyre ‘të voglave dhe ekzotike’. Ato janë jashtëzakonisht të kërkuara në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, të politikës, madje edhe në kërkime shkencore – një lidhje e paçmuar me anën tjetër të botës.”

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello
Foto: absa-association.org,  Facebook/Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Bullgarisë në Nju Jork, Facebook/ Konsullata e Përgjithshme e Bullgarisë në Los Anxhelos, Shkolla Bullgare në Sietëll, Facebook/ Bulgarian Education Center


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Nga 1 janari, një kartë identiteti me një periudhë vlefshmërie prej 10 vitesh do të kushtojë 15.34 euro

Nga 1 janari 2026, tarifa për lëshimin e një karte identiteti me një periudhë vlefshmërie prej 10 vitesh për një person të moshës 18 deri në 70 vjeç do të jetë 15.34 euro (30 leva), sipas një Dekreti të Këshillit të Ministrave për ndryshimin e..

botuar më 25-11-04 6.19.MD

Në hap me kohën, Sinodi lëshon një aplikacion ortodoks për të rinjtë

Me bekimin e Sinodit të Shenjtë të Kishës Ortodokse Bullgare, në faqen zyrtare të Patrikanës që nga data 1 nëntor është i disponueshëm një aplikacion celular për besimtarët. Në versionin e parë, aplikacioni përfshin seksione kryesore si: “Bibla –..

botuar më 25-11-03 10.09.PD

Dashuria dhe vëmendja janë çelësi i suksesit në shkollën bullgare të së dielës në Larnaka

Me gjallërinë, disponimin dhe ngjyrat rinore të tyre, nxënësit e shkollës bullgare të së dielës “Dr. Petër Beron” sollën frymë rinore gjatë vizitës së tyre në Radion Kombëtare Bullgare. Ata kishin ardhur nga Larnaka. Grupi nga Qiproja, i përbërë nga 16..

botuar më 25-11-03 7.15.PD