Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Aleksandër Borimeçkov dhe puna e tij në dobi të bashkatdhetarëve tanë në Moldavi

Aleksandër Borimeçkov Foto: Shoqata për Zhvillimin e Komunitetit Bullgar në Moldavi

Bullgarët në Moldavi janë mbi 80 000 persona, dhe një pjesë jo e vogël e tyre jeton në pjesën jugore të vendit. Numri më i madh është i përqendruar në qytetin Tarakli dhe në rajonin përreth. Një nga qendrat shoqërore, e krijuar me nismën e komunitetit tonë atje, është Universiteti Shtetëror “Grigorij Cambllak”, i cili nga ky vit po transformohet në një filial të Universitetit të Rusës “Angell Kënçev”. 

Drejtor administrativ i filialit është bashkatdhetari ynë Aleksandër Borimeçkov – i lindur në Tarakli, i arsimuar në qytet, në Universitetin e Rusës, si dhe në atë të Veliko Tërnovos. Edhe pse për shumë vite ka punuar në sektorin e Marrëdhënieve me Publikun në bashkinë e Taraklisë, e më pas si nënprefekt, Borimeçkov nuk e ka humbur asnjëherë lidhjen me komunitetin bullgar dhe përpiqet të ndihmojë në zgjidhjen e problemeve të ndryshme. Ai e bën këtë si kryetar i Shoqatës për Zhvillimin e Komunitetit Bullgar në Moldavi, e krijuar në dhjetor të vitit 2023. Ceremonia e shpërblimit të pjesëmarrësve në konkursin për ese, i organizuar nga Radioja Kombëtare Bullgare dhe i zhvilluar këtë vjeshtë në qytet, ishte një rast për t’u takuar dhe për të biseduar për rëndësinë e filialit të Universitetit të Rusës në Tarakli për rajonin:

“Në vitin 2004, me mbështetjen si të Moldavisë, ashtu edhe të Bullgarisë, u krijua Universiteti i Taraklisë ‘Grigorij Câmbllak’. Për 20 vjet ai funksiononte sipas një marrëveshjeje midis dy shteteve dhe studentët merrnin diplomë të një universiteti klasik moldav, duke studiuar specialitete pedagogjike. 

Me kalimin e kohës vumë re se interesi për universitetin dhe numri i studentëve po ulej, ndërsa një pjesë shumë e madhe e të rinjve që mbaronin shkollën e mesme, shkonin në Bullgari ose në vende të tjera, ose shpërnguleshin në Kishinau. Prej shumë vitesh flitej për krijimin e një filiali të ndonjë universiteti bullgar dhe vitin e kaluar u mor vendimi që Universiteti Shtetëror i Taraklisë të kthehet në filial të Universitetit të Rusës ‘Angell Kënçev’.”

Procesi i legalizimit të tij po zhvillohet shpejt, dhe që më 2 prill të këtij viti, filiali u regjistrua në Agjencinë e Regjistrimeve, ndërsa më 24 maj, në praninë e ministrave të jashtëm të Bullgarisë dhe Moldavisë, ai hapi zyrtarisht dyert. Që nga muaji prill filloi edhe procesi i regjistrimit të studentëve, dhe sot në të studiojnë 175 studentë në ciklin baçelor, 70 në ciklin master dhe pesë doktorantë.

“Deri tani në Universitetin e Taraklisë nuk kishte programe master apo doktorature. I ruajtëm katër nga specialitetet që ishin drejtimet kryesore në programin e Universitetit të Taraklisë – pedagogji fillore dhe parashkollore, pedagogji e mësimdhënies së muzikës, histori dhe gjuhë bullgare, gjuhë bullgare dhe gjuhë rumune. U përfshinë edhe tre specialitete të reja – menaxhim biznesi, shkenca kompjuterike, si dhe teknikë auto-transporti dhe bujqësore. Grupet për menaxhim biznesi dhe teknikë auto-transporti arrijnë deri në 50 persona, gjë që është shumë, dhe shohim se kjo i tërheq studentët nga Jugu i Moldavisë të studiojnë në filial. Ne jemi i vetmi universitet në Moldavi që do të lëshojë diploma të një shteti të Bashkimit Evropian. Përveç kësaj, studimet janë plotësisht falas për bullgarët dhe gagauzët, me një bursë të garantuar çdo muaj prej 120 eurosh.”

Prej dy vitesh Aleksandër Borimeçkov ndihmon në mënyrë aktive bashkatdhetarët tanë për t’u përballur me sfida të ndryshme të natyrës jetike dhe materiale, përmes Shoqatës për Zhvillimin e Komunitetit Bullgar në Moldavi, të cilën ai e drejton.

“Ne kemi realizuar shumë iniciativa, të lidhura kryesisht me mbështetjen e njerëzve me të ardhura të ulëta – pensionistë, nëna të vetmuara ose familje me shumë fëmijë. Gjatë viteve 2023–24 në Moldavi filloi procesi i rritjes së çmimeve  të burimeve energjetike dhe njerëzit u detyruan të shpenzonin një pjesë të madhe të të ardhurave të tyre për t’i siguruar ato. Prandaj, ne u ofronim mbështetje duke u kujdesur për të siguruar racione me drekë të ngrohtë dhe dru zjarri. Përveç kësaj, vitin e kaluar shpërndamë rreth 5000 kuti me artikuj të ndihmës së parë për pensionistët dhe personat me aftësi të kufizuara.”

Falë miqësisë së tij me themeluesin e nismës “Gorata.bg” Nikolla Rahnev dhe me ndihmën e rreth njëqind vullnetarëve, Aleksandri mori pjesë në mbjelljen e pyllit të parë bullgar pranë qytetit Taraklia, i cili pas 10–20 vitesh do të kthehet në një vend i dashur për shëtitje dhe pushim për qytetarët.

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello
Foto: Shoqata për Zhvillimin e Komunitetit Bullgar në Moldavi, tdu-tar.md, Universiteti i Ruses "Angell Kënçev", Facebook/ Aleksandër Borimeçkov, azbuki.bg



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Me hapjen ndaj botës, bullgari po ndryshon kulturën e tij të të ushqyerit

Profesioni i kuzhinierit po bëhet gjithnjë e më prestigjioz, dhe njerëzit që merren me të duhet ta duan vërtetë, sepse orët e punës janë të shumta, ngarkesa dhe përgjegjësitë – gjithashtu. Mbrojtësi qiellor i kuzhinierëve është Shën Lorenci – një..

botuar më 25-08-10 8.00.PD
Alex Martinez me familjen e tij bullgare

Paraguaiani Alex Martinez gjen lumturinë e tij në Bullgari

Sipas një renditjeje të një kompanie britanike të sigurimeve, klientët e së cilës jetojnë kryesisht jashtë vendit të tyre, Bullgaria është në vendin e parë për njerëzit që duan të nisin jetën e tyre të re jashtë shtetit. Në renditjen e kompanisë, vendi..

botuar më 25-08-04 7.05.PD
Xhonatan Angellov

Bullgari nga Parisi, Xhonatan Angellov – Është jeta një përrallë dhe cila është morali prej saj?

Ju pëlqejnë përrallat? Cila është e fundit që keni lexuar dhe sa ngjashmëri keni gjetur me jetën tuaj deri tani? Megjithëse shumë njerëz e konsiderojnë këtë zhanër letrar më tepër si diçka për fëmijë, përrallat janë burim i shumë mësimeve dhe..

botuar më 25-07-29 4.30.MD