Më 24 nëntor në kuadrin e festivalit “Kinomania”presim premierën e dokumentarit të ri të regjisores së dalluar Adella Peeva. Titulli i tij është “Rroftë Bullgaria” dhe prezanton pikëpamje të ndryshme ndaj temave serioze – nacionalizmit dhe nacionalistëve, rilindjes së nacionalizmit të skajshëm dhe kufirit të hollë mes patriotizmit dhe nacionalizmit.
Në dokumentar s’ka asnjë fjalë të narratorit, d.m.th. nuk ka vlerësim autori. Dhe jo sepse zonja Peeva nuk ka pozitë. Përkundrazi – në intervistën për Radio Bullgarinë do t’i gjeni nuancat e mendimit të saj, të shprehura me tolerancë dhe delikatesë. Si zakonisht regjisorja e shquar bullgare tregon respekt ndaj të gjithë heronjve të saj duke u lejuar atyre që të shprehin bindjet e tyre.
„Detyra ime është që ta tregoj problemin në thellësinë e tij – tha ajo. Ky është filmi i parë bullgar, kushtuar nacionalizmit. Ne të gjithë dimë për këtë dukuri apo të paktën kemi dëgjuar për të, mirëpo ndoshta nuk dëshirojmë të “thellohemi” shumë.”
Adella Peeva është skenaristja dhe regjisorja e këtij dokumentari. Puna mbi të ka vazhduar 3 vjet – një periudhë, në të cilën ekipi ka dokumentuar fjalimet dhe aktivitetet e heronjve në qytetet Sofje, Satara Zagora dhe Plovdiv.
“Njerëzit, të cilët i kam xhiruar janë shumë të rinj – 13-14 vjeçar. Kjo tregon moshën e mesme të fëmijëve të ndikuar nga idetë e nacionalizmit. Në fakt ata e cilësojnë veten patriotë, mirëpo sjellja e tyre tregon se kanë një tendencë të caktuar ndaj nacionalizmit. Ndjenja prijëse është patriotizmi dhe ata pohojnë se gjithçka është në emër të së ardhmes më të mirë të Bullgarisë. Mirëpo ata shumë lehtë e kalojnë atë kufi të hollë mes patriotizmit dhe nacionalizmit. Gërshetojnë nocionet, sipas meje. Pyetjet janë shumë. Për shembull, çfarë është patriotizmi, cilat janë kufijtë e këtij nocioni, a mund të bëhen keqpërdorime me të? Në qytetin Stara Zagora (Bullgari Qendrore) xhirova fëmijë, të cilët marrin pjesë në procesione. Dhe si bëhet kështu që pas parullës “Rroftë Bullgaria” menjëherë shfaqen njerëz me pishtarë në duart e tyre dhe manisfetimet shndërrohen në demonstrata të nacionalistëve. Në Plovdiv dhe Sofje ekipi xhiroi ngjarje masive të organizuara mirë dhe të quajtura “Marshi i Llukovit” – sipas emrit të një gjenerali bullgar, ithtar i Hitlerit dhe përkrahës i idesë për hyrjen e Bullgarisë në Luftën e Dytë Botërore në anën e Gjermanisë*. Në këto manisfetime ishin të pranishëm dhe të huaj, përfaqësues të organizatave të ngjashme – nacionalistë të skajshëm nga Gjermania, Suedia...”
Ideja e dokumentarit “Rroft Bullgaria” ka lindur gjatë kohës së xhirimit filmit të mëparshëm të Adella Peevës, kushtuar pilotit ushtarak Dimitër Spisarevski, që ka humbur jetën e tij gjatë Luftës së Dytë Botërore. Duke mbrojtur qiellin mbi Sofjen ai rrëzoi një aeroplan bombardues amerikan para se piloti i tij të lëshojë barrën e tij vdekjeprurëse mbi kryeqytet.
“Xhirova një procesion nderimi deri në varin e Dimitër Spisarevskit dhe u pushtova nga kureshtja – cilët ishin ata djem, ndër tyre kishte shumë njerëz të arsimuar. Dhe këtu lindi pyetja – kush duhet të ndihmojë për kuptimin e drejtë të këtyre nocioneve si nacionalizmi dhe patriotizmi? Si mund t’i korrigjojnë të rinjtë idetë e tyre, po të ketë ndonjë keqkuptim. Ne – prindërit, mësuesit, institucionet kulturore, a duhet t’i edukojmë fëmijët e Bullgarisë në këtë drejtim? A janë frymëzuar aktivitetet e tyre të skajshme nga ndonjë person me autoritet për ta apo a marrin përkrahjen tonë të heshtur? Në dokumentar ka skena të xhiruara gjatë shënimit të festës tonë kombëtare – 3 marsit. Kur mësuesja i pyes nxënësit çfarë është për ta festa kombëtare, një djem përgjigjet se kjo është festa e bullgarëve, nuk është për të huajt apo për romët. Dhe kjo bëhet në praninë e tri vajzave rome. Në këtë moment ato nuk dinë se si të reagojnë dhe shqetësimi i tyre është i dukshëm. Menjëherë pas kësaj e shikojmë këtë djem bashkë me moshatarë të tij me pishtar në dorë, duke marrë pjesë në një procesion. Dhe përsëri shfaqet pyetja – çfarë është kjo ndjenje e keqkuptuar për patriotizëm, e cila i inkurajon që të përfshihen në aktivitete nacionaliste?"
Ndoshta pyetja që më shpesh i drejtohet Adella Peevës para premierës së dokumentarit është a është ai “politikisht korrekt”, a ka në të një vetë-censurë. Përgjigja e saj është:
“Jo, nuk kam marrë me mend konsiderata të tilla. S’ka asnjë kuptim të bësh një gjë të tillë, po të kesh shqetësime politike, dhe po të veprosh sipas koniunkturës. Problemi është tepër shqetësues dhe dokumentari ndikon mbi publikun në mënyrë të fuqishme. Skena finale është nga një nga marshimet e shquara të gjeneralit Llukov, të cilat zhvillohen çdo vit gjatë shkurtit. Ato janë lejuar vetëm pjesërisht, mirëpo zhvillohen gjithmonë. Gjatë vitit 2018 gjatë kohës së Presidencës Bullgare të Këshillit të Bashkimit Evropian ndoshta do të ketë masa më të ashpra. Mirëpo Presidenca do të mbarojë dhe ne do të mbetemi me këtë problem që i prek më shumë të rinjtë. Po të duam që fëmijët tanë të bëhen nacionalistë të skajshëm, atëherë gjithçka është në rregull. Por në se kjo nuk na pëlqen, duhet të veprojmë në mënyrën e duhur. Tani për tani neve edhe nuk na pëlqen situata edhe nuk bëjmë asgjë – domethënë kemi një problem serioz brenda vetes.”
Muzika në këtë dokumentar, siç është në filmat e tjerë të zonjës Peeva, vjen drejtpërsëdrejti nga sheshi i xhirimit. Tingëllojnë marshe nacionaliste dhe kënga patriotike, të interpretuara nga nxënësit në shkollë. Një kontrapunkt i fuqishëm është muzika e Bethovenit, e cila simbolizon bashkimin e Evropës.
Përgatiti në shqip: Jordanka Ivanova
*Gjenaral Hristo Llukov ka qenë ministër i mbrojtjes (1935-1938), Kryetar i Bashkimit të Legjioneve Kombëtare Bullgare gjatë viteve të 40-të të shekullit të kaluar, i varë nga një grup ilegal komunist në vitin 1943. Organizata, e cila ekziston aktualisht “Bashkimi Kombëtar Bullgar” pretendon se është pasardhëse e Bashkimit të drejtuar nga gjenerali Llukov.