Rritja e çmimeve të ngrohjes, rrymës elektrike, ujit dhe gazit për familjet në Bullgari është mesatarisht 40 për qind, por më i madh është shtrenjtimi i produkteve kryesore ushqimore si sheqeri, mishi, qumështi, makaronat, ku rritja është me afro 10 për qind edhe në tremujorin e fundit. Shumë nga çmimet diktohen nga bursat botërore të mallrave, por në Bullgari edhe çmimet e ushqimeve bazë bëhen të padurueshme nga ana sociale – tregon një sondazh i çmimeve të konsumit dhe pagave të mirëmbajtjes për tremujorin e tretë të vitit 2022, zhvilluar nga Instituti i Studimeve Sociale dhe Sindikale pranë Konfederatës së Sindikatave të Pavarura. Vetëm në një vit çmimi i sheqerit u rrit më se 60 për qind në rrjetin tregtar. Kështu në praktik për një jetë normale në vendin tonë duhen 20 për qind më shumë fonde për mirëmbajtjen e një personi të familjes, krahasuar me shtatorin e vitit 2021 – llogarisin ekonomistët e Konfederatës. Kjo do të thotë se një i punësuar i cili e mirëmban veten në një familje duhet të marrë të ardhura neto jo më pak se 1300 leva. Për një jetë normale në Bullgari të një familjeje tre anëtarësh me një fëmijë deri në 14 vjeç, shuma e kënaqshme është jo më pak se 2370 leva, llogaritin ekspertët. Mirëpo, statistika nga gushti tregon, se afro 1 milion e 800 mijë bullgarë që punojnë jetojnë me të ardhura më të ulëta se sa të lartpërmendurit. Kjo do të thotë, se 2/3 e të punësuarve në vend nuk mund të arrijnë të ardhurat e domosdoshme për standardin normal të jetesës në Bullgari për momentin.
Sipas të dhënave të Konfederatës së Sindikatave të Pavarura për një vit numri i bullgarëve të punësuar, të cilët nuk mund të arrijnë dot pragun e të ardhurave të domosdoshme për mirëmbajtjen e familjes u rrit me 100 mijë veta.
“Gjatë tremujorit të fundit më shpejtë rriten çmimet e bartësve të energjisë – me 5 për qind, ndërsa për mallrat rritja është afro 3 për qind” – theksoi Violeta Ivanova, eksperte nga Instituti pranë Konfederatës:
“Tendenca e rritjes së çmimeve të karburanteve dhe ushqimeve bazë i vë familjet bullgare në një provë serioze, veçanërisht duke pasur parasysh sezonin dimëror të ngrohjes. Sipas sondazheve të fundit sociologjike 76 për qind e bullgarëve janë të shqetësuar nëse do të jenë në gjendje të paguajnë faturat e familjes në dimër, dhe 46 për qind përgjigjen se problemi më i madh është rritja e çmimeve dhe inflacioni i pandërprerë me të cilin përballen në dyqane. Ky shqetësim është i shpjegueshëm sepse shohim se rritja e të ardhurave nga puna edhe para kësaj është e konsumuar nga ritmet e inflacionit, e cila në shtator arriti 18.7 për qind. Në tremujorin e dytë të këtij viti evidentojmë se paga mesatare u rrit me 13 për qind, por në realitet u ul me rreth 2 për qind, për shkak të inflacionit tejkalues.”
Jeta në Bullgari me ritme të shpejta po bëhet më e shtrenjtë, prandaj nga Konfederata e Sindikatave të Pavarura në Bullgari këmbëngulin që të ardhurat në të gjithë sektorët të kompensohen të paktën me nivelin e inflacionit mesatar për vendin – 19 për qind, raportuar nga statistika kombëtare. Edhe pse çmimet e mallrave bazë shtëpiake tejkalojnë rritjen prej 20 për qind, sindikalistët nuk kërkojnë kompensim maksimal nga buxheti. Synimi i tyre është paga e dhjetorit për vitin 2022 të bëhet të paktën 20 për qind më e lartë se paga që morën punëtorët në dhjetor 2021.
“Atëherë mund të themi se i kemi kompensuar të ardhurat nga njëra anë, dhe nga ana tjetër – ruajmë motorin e rritjes ekonomike në vend, por pa e mbinxehur atë” – thotë kryetari i Konfederatës së Sindikatave të Pavarura në Bullgari, Pllamen Dimitrov.
“Nuk do të pranojmë që të miratohet buxheti i vitit 2023 pa rritjen e të ardhurave gjatë vitit të ardhshëm, edhe pse thonë se pagat u rritën mjaftueshëm këtë vit. Për këtë ka hapësirë fiskale dhe me një planifikim më të mirë të të ardhurave tatimore dhe me planifikim më të qartë dhe më të arsyeshëm të shpenzimeve kapitale, ka vend që të ndahen 700 milionë leva shtesë për rritjen e pagës minimale në baza vjetore, e cila duhet të jetë 850 leva nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Mund të parashikohet një rritje shtesë e të ardhurave në sektorin publik, sepse problemi nuk është në biznesin privat. Ai vazhdon të rrisë pagat e punëtorëve. Në industri dhe shërbime, pagat u rritën me 17 deri në 25 për qind që në qershor. Në të kundërt, në sektorin publik, të ardhurat po bien me 5 deri në 8 për qind për shkak të inflacionit vjetor. Fonde buxhetore duhet të ndahen për subvencione të ngrohjes gjatë dimrit. Pothuajse ¼ e popullsisë në Bullgari është në varfëri energjetike dhe nuk do të jetë në gjendje të ngrohet. Shteti ynë është në vendin e parë për këtë tregues në Evropë.”
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Foto: BGNES, knsb-bg.org, arkiv
Rreth mesit të janarit pritet të përmbushim kriterin e fundit për eurozonën, i cili do të na mundësojë të dorëzojmë raporte të konvergjencës në Bankën Qendrore Evropiane dhe Komisionin Evropian, tha për gazetarët kryeministri në detyrë Dimitër Gllavçev...
Bullgaria duhet të përqendrohet në miratimin e një buxheti që do të ndihmojë për të hyrë në Eurozonë, tha për "Nova TV" drejtoresha menaxhuese e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva. Sipas saj, vendi është në prag të zgjidhjes së problemit të..
41 për qind e kompanive anëtare të Dhomës Bullgare të Tregtisë presin rënie të ekonomisë në vitin 2025. Përderisa 21 për qind besojnë se nuk do të ketë ndryshim në krahasim me vitin 2024. 65 për qind e të anketuarve presin një përkeqësim të biznesit..