Bullgari, ty të dhashë gjithçka: shpirt, zemër, dashuri, yje qiellorë, të pranuar nga ti – t’i kam kthyer në këngë.
Nga „ Përsiatje “ – Ivan Vazov, v. 1919.
Një shekull pas shpjegimit lirik të përkatësisë ndaj Bullgarisë nga Patriarku i letërsisë bullgare Ivan Vazov, më shumë se 200 bullgarë të vegjël të shpërndarë në mbarë botën bënë të njëjtën gjë, por me vizatime. Dy vjet më parë ju folëm për konkursin ndërkombëtar "Mrekullitë e natyrës së Bullgarisë", organizuar bashkërisht nga shkolla bullgare e së dielës "BulgarinA" në Pescara dhe Shoqata Kulturore AIBIA, nën patronazhin e Ambasadës Bullgare në Romë, dhe sot jemi krenarë për të vazhduar këtë histori për rrugën drejt vetes.
„Në atë moment, kur bota u mbyll për shkak të pandemisë, dhe gjithçka ra në heshtje, konkursi ishte dhe vazhdon të jetë një mesazh shpirtëror për fëmijët bullgarë, besim në talentin e tyre krijues dhe shpresë për Bullgarinë", tha për Radio Bullgarinë Rositsa Lazarova-Sbaraliya, nga shoqata AIBIA. Fjalët e saj mbartin emocionin e hapjes më 1 qershor 2023 - Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve, në ekspozitën "Mrekullitë e natyrës së Bullgarisë" në galerinë "Bulgaria" në qendër të Romës. "Të pranishmit ishin të mahnitur nga interpretimi dhe idetë unike të artistëve tanë të vegjël por me talent të madh" - na thotë Rosica Llazarova-Sbaralija.
„Galeria ishte e mbushur me të ftuar dhe miq dhe unë personalisht u befasova shumë që erdhën kaq shumë të rinj - bullgarë dhe italianë. Në mesin e tyre ishte fotografi dhe regjisori i ri Boris Sllavçev, i njohur me filmin e tij "Testamenti i Boris Hristov-it". Të gjithëve u bënë shumë përshtypje ngjyrat dhe përmbajtja e pikturave të fëmijëve tanë. U lamë përshtypje shumë italianëve, të cilët shprehën dëshirën për të vizituar Bullgarinë jo vetëm për vendpushimet tona bregdetare, por edhe për të parë malet tona madhështore, shpellat tona, grykën piktoreske të lumit Arda, piramidat e Shkupit, ujëvarat e Krushunit dhe shumë vende të tjera magjike në vendin tona. Falë fëmijëve shkëlqeu e gjithë madhështia e natyrës bullgare dhe fituam shumë miq të rinj dhe ky është shpërblimi më i madh për të gjithë ne - organizatorë dhe pjesëmarrës” – tha Rosica Llazarova- Sbaralija për Radio Bullgarinë.
„Këto nuk janë piktura profesionale, por sjellin dëshirën e fëmijëve, frymëzimin dhe ndjenjën e përkatësisë”, shprehet në mënyrë kategorike Rosica. Ajo kujton edhe sot veprat e para të mbërritura nga nxënësit e Shkollës "Hristo Botev" të qytetit spanjoll Torrent dhe pjesëmarrjen jashtëzakonisht aktive të fëmijëve të shkollës bullgare "Ivan Vazov" nga Parisi. Në kujtimet e saj rikthehet edhe mësuesja e gjuhës bullgare në shkollën e kryeqytetit francez, Janeta Dimitrova:
„Fëmijët vizatuan me shumë kënaqësi dhe dy nga nxënësit tanë u renditën të parët në konkurs. Më vonë në shkollë morëm kalendarët e mëdhenj me vizatimet e fëmijëve nga e gjithë bota. Ky kalendar shkaktoi një emocion të madh dhe Ufuk Samet, nxënësi që u përfshi në të me një pikturë të "Luginës së Trëndafilave", ishte jashtëzakonisht krenar. Një nismë e mrekullueshme dhe jam shumë e lumtur që mund të shihet nga më shumë njerëz sot.“
Temat që kanë të bëjnë me Bullgarinë ngjallin gjithmonë kureshtje të madhe te nxënësit tanë, sepse ata duan të mësojnë më shumë për atdheun e tyre, thotë Janeta Dimitrova.
„Për ne që jemi jashtë, gjithçka që lidhet me Bullgarinë, ndjenjat tona për Bullgarinë janë shumë më të mprehta. Ndoshta sepse nuk rëndohet nga problemet e përditshme të vendit. Për fëmijët jashtë vendit, Bullgaria, para së gjithash janë gjyshërit dhe të afërmit atje. Ata e lidhin Bullgarinë me të dashurit e tyre, me përvojat e tyre më të çmuara gjatë pushimeve, e lidhin me natyrën e saj të mrekullueshme dhe sigurisht e vlerësojnë shumë më tepër se bashkatdhetarët tanë në vend atë që shohin një ose dy herë në vit - na tregon Janeta Dimitrova. – Prindërit e tyre përpiqen t'u tregojnë sa më shumë për këto vende magjike për të njohur rrënjët e tyre. Ky është edhe kuptimi i shkollave bullgare të së dielës.“
Kërkimi i rrënjëve dhe ndjenja e krenarisë nga Atdheu nuk lidhet me kufij gjeografikë. Këtë e dëshmojnë nxënësit e Eleonora Asenovës në Qendrën për Art, Kulturë dhe Edukim në Sofje, të cilën ajo e drejton. Gjatë pandemisë, një nga prindërit i tregoi për konkursin "Mrekullitë e Natyrës së Bullgarisë" dhe Eleonora vendosi t'u jepte një detyrë artistëve të vegjël që të vizatonin vendet më interesante në vendin tonë që kishin parë.
„Konkursi ishte një provokim për të ecur virtualisht dhe në imagjinatën tonë nëpër Bullgari dhe të shohim se çfarë vende të mrekullueshme kemi - shpjegon Eleonora Asenova për Radio Bullgarinë. - Vlerësimi i jashtëm, nga persona që nuk janë të afërmit e tyre, është shumë i rëndësishëm për fëmijët.“
Kurse për ne të rriturit, të mos harrojmë ta shohim botën me sytë e fëmijëve, qoftë edhe për pak kohë. "Mrekullitë e natyrës së Bullgarisë", e frymëzuar nga emocionet e fëmijëve dhe e vizatuar me imagjinatë, do të jetë e disponueshme për t'u parë deri në fund të korrikut në galerinë "Bullgaria" në Romë. Tashmë ka ftesa për ekspozitën nga qytetet italiane Riccione dhe Milano, ndërsa ambicia më e madhe e Rosica Llazarova- Sbaralija është që vizatimet të tregohen edhe në Bullgari.
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Foto: arkiv personal
Bullgarët e Besarabisë janë "pjesë e pandashme e fuqisë kombëtare bullgare, e bashkësisë shpirtërore dhe kulturore bullgare. Ata do të mbeten sepse lidhja mes nesh dhe tyre është e pathyeshme" - shkroi numri i vetëm i gazetës "Besarabia Bullgare",..
Votë inercie. Votë me pikën e fundit të shpresës se nesër çdo gjë do të jetë mirë dhe ne do të takohemi për zgjedhje pas katër vitesh. Një votë inati për politikanët, për ne, për të tjerët që nuk kanë votuar. Qëndrimet janë shumë të ndryshme -..
Një numër rekord Shqiponjash Perandorake të Lindjes ( Aquila heliaca ) - gjithsej 48 zogj të vegjël të specieve të rrezikuara - kanë lindur në Bullgari këtë vit. Ky është numri më i lartë i shpendëve të lindur të regjistruar nga Shoqata Bullgare..
Shfaqja e Bernard Shaw "Armët dhe njeriu" (“Arms and the Man”) me regji të John Malkovich , e cila u prezantua në Teatrin Popullor në ditën e 139-vjetorit..
Ekspedita e tridhjetë e tretë polare bullgare po shkon drejt Antarktidës për të vazhduar kërkimet e saj shkencore në bashkëpunim me shkencëtarë nga vende..
Takime me autorë, botues dhe përkthyes të librave ortodoksë të viteve të fundit ofron programi i Javës së Librit Ortodoks. Ajo mbahet në kishën “Shën..