Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Të korrat në vitin 2023 priten të jenë të pakta

Pse kultivuesit e rrushit në Bullgari janë të destinuar të falimentojnë?

Subvencionet e dobishme për vreshtarët mund ta vendosin Bullgarinë në hartën e verërave të Evropës

Foto: BTA

"Vreshtaria në Bullgari po vdes për shkak të paaftësisë suaj" - kështu shkruajtën vreshtarët dhe verëtarët në mitingun e tyre protestues në muajin mars në Sofje. Shpresa e tyre ishte që Zyra Shtetërore të merrte më pas masa për të përmirësuar gjendjen e sektorit të paktën për vitin e ri agrar, por pushtetarët mbyllën veshët ndaj kërkesavetë tyre. Ndryshe, në dokumentet normative shkruhet se sektori i vreshtarisë është ndër të parët për nga rëndësia, që ndihmon në zhvillimin e përshpejtuar ekonomik të vendit tonë dhe arritjen e synimeve kombëtare.

Pas protestës së pasuksesshme pranverore të vreshtarëve si para Këshillit të Ministrave ashtu edhe para Presidencës, tashmë vjen vjeshta e pakënaqësisë së tyre. Ajo forcohet edhe më shumë nga kushtet e këqija të motit të këtij viti.

Foto: BGNES

“Rrushi është i pakët këtë vit dhe është dashur ta vjelim shpejt për ta ruajtur dhe për të pasur pije cilësore, pavarësisht sasive të vogla”, – thonë fermerët e sektorit. Ata ishin të pranishëm në protestën e madhe kombëtare me autokombanja, e cila u zhvillua më 18 shtator, por thonë se problemet në sektor janë shumë të hershme. Ato kanë mbetur që nga periudha e para-anëtarësimit të Bullgarisë në BE dhe më e dhimbshme për ta është se vendi ynë merr subvencionet më të ulëta në krahasim me të gjitha vendet e tjera evropiane. “Ne, prodhuesit bullgarë të rrushit dhe verës, nuk trajtohemi sikur punojmë në një vend anëtar të BE-së dhe nuk jemi në pozitë të barabartë me prodhuesit e tjerë në Evropë”, thonë nga Dhoma Bullgare e Vreshtarisë dhe Verës.

Gjithashtu, në vendin tonë nuk ekziston një kriter objektiv dhe publik për shpërndarjen e ndihmave për sektorin e vreshtarisë. “Ne jemi të privuar edhe nga pjesëmarrja në programet evropiane për investime në teknikat dhe teknologjitë e reja” -Marin Kallnev, anëtar i Shoqatës Kombëtare të Vreshtarëve Bullgarë, tregon disa nga problemet:


“Prej shumë vitesh sektori vuan nga mungesa e një plani dhe strategjie zhvillimore adekuate – shpjegon ai në një intervistë për BNR-Plovdiv. - Në vendin tonë shkatërrohen çdo vit rreth 50.000 hektarë plantacione hardhish, pra bëhet fjalë për më shumë se 350.000 hektarë plantacione hardhish të krijuara dhe më pas të shkatërruara vetëm në 10 vitet e fundit. Në fermën time kujdesem për vreshtat në mënyrën më të mirë të mundshme, përdor preparate, pleh, pajisje të blera nga vendet evropiane, e megjithatë prodhimi ynë është jo konkurrues në treg, sepse rrushi dhe prodhimet e verës nga Rumania, Serbia, Maqedonia, Moldavia hyjnë në Bullgari, kryesisht nga palë të treta, të cilat megjithatë askush nuk i kontrollon dhe nuk dihet se ku shkojnë. Kjo është arsyeja pse ne duam ta kthejmë në prioritet blerjen e prodhimit të vreshtarisë bullgare. Tani është kthyer në praktikë prodhimi i verës bullgare, por nga rrushi i importuar nga jashtë”.

Edhe vetë Marin Kallnev po mendon të shkulë vreshtat, janë 150 hektarë, të cilat ka 8 vjet që i rrit afër Plovdivit. Pyetja e tij është - si, duke qenë se përdorin të njëjtën teknikë dhe preparate, rezulton se rrushi i importuar nga jashtë është me çmim më të ulët se ai bullgar? "Kjo tregon se nëpër vendet e tjera ka mbështetje të fshehur," – mendon ai.

Jordan Çorbaxhijski

Të njëjtat shqetësime ndau edhe Jordan Çorbaxhijski - kryetar i Dhomës Kombëtare të Vreshtarisë dhe Verës. “Prodhuesit e rrushit në Bullgari janë të destinuar të falimentojnë. Momentalisht ata kultivojnë rrush vetëm se munden, jo për qëllime fitimi”, thotë ai në një intervistë për Radio Bullgarinë.

“Dua të bëj një krahasim me Francën – këtë vit prodhuesit e verës në Francë nuk kishin se si ta shisnin verën e tyre dhe shteti ndërhyri dhe u dha 200 milionë euro dhe kjo automatikisht ul çmimin e produktit final. Tek ne nuk arrihet dot çmimi i tyre, sepse çmimi i shitjes së një kilogrami rrush në vendin tonë është rreth 1.40 leva, kurse për një litër verë përdoren 3 kg rrush. Nëse shtojmë kostot e shishes, etiketës, kutisë, transportit etj., çmimi rritet. Për ne është shumë i rëndësishëm edhe faktori njerëzor, sepse për momentin punëtorët tanë sezonalë janë jashtë vendit. Unë kam edhe një pyetje për shtetin – si ndodh që Franca na i merr punëtorët, si ndodh që paguan rroga më të larta se ne dhe si vera e tyre është më e lirë se vera bullgare? Përgjigja e kësaj pyetjeje qëndron në dhënien e subvencioneve dhe mungesës së subvencioneve për prodhuesit bullgarë, për varietetet e rrushit”.

Foto: BTA, BGNES

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello




Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Statistikat tregojnë një rënie të mprehtë të inflacionit vjetor në vend

Inflacioni në vend u ngadalësua ndjeshëm në shtator në 1.2 për qind nga 2.1 për qind në gusht, duke arritur nivelin më të ulët që nga marsi 2021, treguan të dhënat nga Instituti Kombëtar i Statistikave. Krahasuar me muajin gusht, ka një deflacion prej..

botuar më 24-10-15 3.16.MD

Një mbledhje e bashkive në resortin “Albena” diskuton problemet e pushtetit vendor

Në muajin dhjetor, 1 miliard leva (500 milionë euro) do t'i drejtojmë komunave për investime në kuadër të Planit Strategjik për Zhvillimin e Bujqësisë dhe Zonave Rurale 2023-2027, kështu tha ministri i bujqësisë, Georgi Tahov, para mbledhjes..

botuar më 24-10-14 10.44.PD

Këshilli trepalësh sërish nuk ra dakord për pagën minimale për vitin 2025

Përfundoi pa konsensus mbledhja e sotme e Këshillit Kombëtar për Bashkëpunim Trepalësh, në të cilin u diskutua një projekt-dekret i qeverisë për rritjen e pagës minimale nga 933 leva /477,04 euro/ në 1077 leva /550,66 euro/ nga 1 janari 2025...

botuar më 24-10-11 3.58.MD