Anabell Casaboff është një nga mijëra pasardhësit e bullgarëve në Argjentinë që nuk flasin gjuhën e gjyshërve të tyre, por Bullgaria është çdo ditë e pranishme në jetën e tyre. Ajo është një balerinë e mrekullueshme, kërcen dhe jep mësim baletin klasik, por është gjithashtu mësuese e valleve popullore bullgare në baletin “Tangra” në Buenos Aires. Para pak kohe Anabell dhe nëna e saj Ana vizituan Bullgarinë dhe qëllimi i udhëtimit të tyre të gjatë ishte që Anabell të njihej me vallet popullore bullgare, të mësonte sa më shumë nga profesionistët bullgarë në këtë fushë dhe të sillte njohuri të reja në Argjentinën e largët në mënyrë që t'ua mësojë nxënësve të shkollës së saj. Ndalesat në rrugën e saj ishin Plovdivi, Kazanllëk, Veliko Tërnovo dhe Sofja, dhe sipas saj, kudo ajo pritej me mikpritje dhe mësoi shumë gjëra të reja.
Annabel dhe Ana treguan për Radio Bullgarinë historinë e tyre familjare, e cila fillon rreth vitit 1905, kur stërgjyshi i Anabell, Panayot Casaboff, hipi në një anije për në Argjentinë, së bashku me vëllain e tij, i cili vdiq rrugës. Gjatë udhëtimit, Panajotit i shfaqen fotografi të provincave të ndryshme në Argjentinë ku mund të vendoset. Ai zgjedh San Miguel de Tucumán, një krahinë malore veriore, me shumë lule, që i kujton shumë atdheun e largët. Kur vendoset atje, së bashku me mërgimtarët e tjerë, fillon të ndjekë mësimet e spanjishtes që zhvillohen falas nga vajzat e familjeve të pasura të qytetit dhe ashtu si në përralla, dashurohet me mësuesen e tij të re dhe i propozon asaj martesë. Pas shumë peripecive të shkaktuara nga diferenca e madhe në statusin social të të dyve, ata arrijnë të martohen, kanë pesë fëmijë, një djalë dhe katër vajza, dhe më e vogla prej tyre është gjyshja e Anabell.
Historia vazhdon në kohën e sotme, kur Ana jeton tashmë në Buenos Aires dhe zgjedh rrugën e artit të baletit, të cilën e ndjek edhe vajza e saj Anabell.
“Unë e drejtoj grupin që nga viti 2018, por ai ekziston që nga vitet 1980, kur u krijua Fondacioni Argjentinas-Bullgar në Buenos Aires. Për një periudhë, grupi u shpërbë sepse komunitetet bullgare në Argjentinë hasën disa vështirësi. Tani grupi përfshin pasardhës të bullgarëve dhe argjentinasve - dashamirës të valleve popullore. Administrata e qytetit na fton gjithmonë në ngjarjet e komuniteteve të ndryshme dhe në Buenos Aires festojmë Ditën e Bullgarisë”, thotë Anabell për Radio Bullgarinë dhe vazhdon:
“Distanca mes Bullgarisë dhe Argjentinës është mjaft e madhe. Është e vështirë për ne të ndjekim folklorin këtu në një mënyrë që është mjaft profesionale për grupin. Ne punojmë duke ndjekur kurse online, duke parë faqe ueb, duke shkëmbyer materiale. Tani do të marr shumë aftësi të reja që nuk arrijnë në Argjentinë. Kam vizituar shkollën e vallëzimit në Sofje. Ishin ditë të gjata, filloja në mëngjes dhe mbaroja në mbrëmje, ndoqa të gjitha orët e mundshme.”
Si i organizojnë ngjarjet e tyre pasardhësit e bullgarëve në Argjentinë?
“Në Argjentinë janë pesë komunitete bullgare, ku mblidhen pasardhës të bullgarëve dhe disa bullgarë. Ato janë të vendosura në veri - në provincën e Chaco, në jug - në Comodoro Rivadavia, në Berisso dhe në kryeqytet. Ne përpiqemi të mbajmë gjallë rrënjët tona. Më të vjetrit përpiqen t'u tregojnë të vegjëlve se si ka qenë jeta bullgare, cilat janë pjatat tipike, cilat janë vallet tradicionalë, veshjet tipike për rajone të ndryshme në Bullgari - gjithçka që ata mund t'u transmetonin atyre, duke qenë në Argjentinë. Nuk është e lehtë, por arrihet dhe kështu arrijmë të mbajmë të gjalla rrënjët tona dhe të përhapim traditat tona në Argjentinë”.
A ndihet Anabell më shumë argjentinase apo bullgare?
“Ndihem argjentinase, sigurisht, por në të njëjtën kohë e ndjej Bullgarinë me zemër, sepse familja ime ka ndjekur gjithmonë traditat bullgare. Unë drejtoj baletin dhe reklamoj Bullgarinë. Ajo është e pranishme në jetën time çdo ditë. Kështu që unë jam gjysmë bullgare”.
Agjencia Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Shtetit e ndihmoi Anabell me mbërritjen e saj në vend, duke e lidhur atë me Shkollën Kombëtare të Artit të Kërcimit në Sofje, ku mori pjesë në klasa të grupmoshave të ndryshme, nga klasa e 8-të deri në klasën e 11-të, si dhe në klasat e tyre të vallëzimit të zonave të ndryshme folklorike. Gjatë kohës që kaloi këtu, Anabell mësoi hapa të rinj, mënyrën e mbajtjes së duarve gjatë kërcimit, u përfshi në shumë valle, na tregoi Iva Krumova, kryeekspertja për Amerikën Latine në Agjencinë Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Shtetit.
Duke u larguar nga Bullgaria, Anabell mori si dhuratë kostume autentike popullore, të cilat t'i çojë në Argjentinë dhe të vazhdojë të kënaqë adhuruesit e valleve popullore bullgare.
Lexoni më tepër nga koleksioni i Radio Bullgarisë:
Foto: Agjencia Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Shtetit
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Këngët dhe vallet popullore mbledhin dashamirët e folklorit bullgar në edicionin e radhës të Festivalit të Kostumeve Popullore në Zheravna. Këtë vit aktiviteti do të zhvillohet nga 23 deri më 25 gusht. "Pasi visheni me kostumet popullore dhe..
Holandezja Esther Willems vazhdon të tërheqë njerëz nga qytete dhe kombësi të ndryshme në klubin e saj për vallet popullore bullgare, i krijuar në Hagë dhe i quajtur "Zora". Klubi u themelua në vitin 2017 dhe në të u regjistruan edhe atëherë 13..
Mbrëmjet e kulturës bullgare në Shqipëri po vazhdojnë edhe në muajin gusht. Shfaqjet e para ishin në qershor, kur grupe folklorike nga Bullgaria prezantuan kostume, valle dhe këngë popullore bullgare para teatrit "Aleksandër Moisiu" në qytetin e..