Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Bullgaria është ndër pionierët në përfshirjen e mësimit kontekstual të bazuar në Inteligjencën Artificiale

Inteligjenca artificiale i këshillon njerëzit ta përdorin atë si një mjet, por jo si një zëvendësues të arsimit

Foto: cpocreativity.com

Njeriu po liron gjithnjë e më shumë hapësira për teknologjitë, të cilat ai i menaxhon me aftësi dhe i mban nën kontrollin e tij. Në këtë hapësirë të përbashkët, me hapa të shpejtë, po gjen vend inteligjenca artificiale. AI, siç e quajmë shkurt, vitet e fundit ka hyrë edhe në klasat mësimore, për ta afruar procesin arsimor me brezat me të cilët bashkëjeton në një botë të përbashkët teknologjike.

Në arsimin bullgar, inteligjenca artificiale është e pranishme prej gati katër vitesh – thotë Borisllav Mihajllov, ekspert arsimor në qendrën mësimore "Kreativitet" dhe pedagog në Universitetin e Plovdivit "Paisij Hilendarski". Sipas tij, fëmijët e përdorin më së shumti për të mësuar dhe ndonjëherë për të "mashtruar" me detyrat e shtëpisë dhe esetë, ndërsa mësuesit – për të përgatitur mësimet. "Një moment interesant është se mund të përfshijmë të dhëna për nxënësit dhe të krijojmë materiale të personalizuara që i përshtaten kërkesave, nivelit dhe nevojave të tyre", shton specialisti i AI-së.
Boris Mihajllov
Qendra mësimore po zhvillon sistemet e saj me ndihmën e ChatGPT, si dhe modeleve të inteligjencës artificiale të destinuara për arsimin në vend.

"Kemi një model – asistent kreativ për kopshtet e fëmijëve, i cili krijon përralla, tregime, këngë dhe i përshtat ato për secilin fëmijë," – tregon Boris Mihajllov. "Në bazë të këtyre modeleve, mund të krijojmë përralla shumë më të ndryshme nga ato tradicionalet dhe t’i përdorim për të zhvilluar cilësi të ndryshme te fëmijët, në mënyrë që ata të fantazojnë në një drejtim të caktuar dhe të ndryshojnë konceptet standarde."

Modele të ngjashme janë krijuar edhe për arsimin fillor dhe për nxënësit më të mëdhenj. Ato janë trajnuar të ndihmojnë në lëndë si gjuha dhe letërsia bullgare, historia, ekonomia, sipërmarrja dhe disiplina të tjera më të specializuara. Të gjitha këto modele janë falas dhe të aksesueshme përmes ChatGPT ose link në faqen e internetit të "Kreativitet".

"Shkollat e ndryshme pedagogjike e shohin zhvillimin e disiplinës në drejtime të ndryshme, ndërsa ne vetë arrijmë në përfundimin se sistemi aktual i mësimdhënies në klasë nuk është efektiv për brezat që janë rritur me botën dixhitale," – thotë Boris Mihajllov."Për këtë arsye, brenda disa vitesh, gjithnjë e më shumë do të flitet për të ashtuquajturën mësimdhënie kontekstuale, e cila po hyn në arsim nëpërmjet inteligjencës artificiale. Përmes saj – me ndihmën e qasjeve ndërdisiplinore, mund të krijojmë situata reale, ku fëmijët të ndihen si në jetën e vërtetë dhe të zgjidhin probleme në kontekstin e asaj që mësojnë. Bullgaria është një nga pionierët që ka filluar të zbatojë këtë model arsimor."

Boris Mihajllov thekson se mësuesit në shkollat bullgare jashtë vendit përdorin mësimdhënien me inteligjencë artificiale që nga viti 2021. Në një konferencë të veçantë në Londër (më 4 dhe 5 prill), eksperti do t'u prezantojë atyre temën e mësimdhënies dhe të mësuarit në mënyrë inovative, dhe të gjithë së bashku, duke u mbështetur në themelin e ndërtuar, do të hedhin një vështrim drejt së ardhmes me shpresën për të paraprirë kohën të paktën një ose dy vjet.
Ashtu si çdo gjë në jetën tonë, edhe inteligjenca artificiale ka dy anë. Për çfarë duhet të jenë të kujdesshëm ata që e përdorin atë në fushën e arsimit?

“Rreziku i parë është zvogëlimi i mendimit kritik, pasi shumë shpesh gjërat që përdorim nga inteligjenca artificiale merren si të vërteta absolute,” thotë Boris Mihajllov. “Fëmijët, duke komunikuar me inteligjencën artificiale, shpesh mendojnë se përballë tyre qëndron një njeri. Dhe e treta është se ata fillojnë të krijojnë lidhje me AI-në. Pra, është shumë e rëndësishme që t’i kushtohet më shumë vëmendje psikologjisë dixhitale, që të mund të kenë një ide të qartë se nuk po komunikojnë me një njeri të vërtetë, pavarësisht se sa i afërt dhe i këndshëm mund t’iu duket.”
Megjithatë kush duhet të ndërhyjë, që fëmijët të ruajnë aftësinë e tyre për mendim kritik dhe krijimtari? “Do të doja shumë të thosha “mësuesit,” por në fakt roli kryesor është i shoqërisë, i gazetarëve, i gjithë sistemit dhe më së shumti i prindërve,” është përgjigjja e shkurtër e Boris Mihajllov.

“Duhet të theksojmë diçka të rëndësishme,” vazhdon eksperti, duke komentuar faktin që nxënësit shpesh i bëjnë detyrat e shtëpisë me ndihmën e inteligjencës artificiale. “Fëmijët tanë janë nga gjeneratat 'Alfa' dhe Z, ata kanë lindur me teknologjinë, për ta kjo nuk është thjesht një mjet, por një mënyrë jetese. Dhe këtu pyetja është: 'Nëse një makineri e bën mirë diçka, a nuk duhet ta mësojmë fëmijën ta përdorë atë, në vend që ta ndalojmë përdorimin e saj?' Problemi është se si t’i përfshijmë teknologjitë e reja në procesin arsimor."

Të gjitha këto pyetje, Boris Mihajllov ia bën inteligjencës artificiale, ndërsa rezultati, duket, është një përputhje pothuajse e plotë e pikëpamjeve. “Më e rëndësishmja që AI dha si përmbledhje është se është mirë ta përdorim atë si një mjet, por jo si një zëvendësues të arsimit.” Sipas ekspertit, opsioni më i mirë është që metodat tradicionale të kombinohen me teknologjitë e reja – dhe gjithsesi, e rëndësishmja është të inkurajojmë mendimin kritik dhe zgjidhjen krijuese të problemeve.

Foto:cpocreativity.com

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Janë publikuar rregullat për pranimin e studentëve kandidatë nga diaspora

Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Bullgarisë shpalli rregullat për pranimin e studentëve, doktorantëve dhe specializantëve për studime në institucionet shtetërore të arsimit të lartë të Bullgarisë, sipas Dekretit nr. 103/1993 të Këshillit të..

botuar më 25-04-07 7.55.MD

Ministria e Arsimit dëshiron të bëjë të detyrueshme mësimet е fesë

Ministria e Arsimit dhe e Shkencës do të ofrojë që mësime e fesë të përfshihen në plan-programin e detyrueshëm, duke theksuar kompetencat etike, morale, kulturore dhe historike, deklaroi ministri i arsimit Krasimir Vëllçev para Lidhjes së Mësuesve..

botuar më 25-04-07 7.31.MD

Kanceri i gjirit prek çdo të tetën grua bullgare

Më 7 prill - Dita Botërore të Shëndetit dhe festa profesionale të punonjësve të kujdesit shëndetësor, po e ndalim vëmendjen tuaj te kanceri i gjirit që është sëmundja më e shpeshtë onkologjike te femrat.   Çdo vit zbulohen më shumë se 2 milionë raste..

botuar më 25-04-07 7.05.PD