Në verilindje të Bullgarisë, lumi Rusenski Llom dhe degët e tij – Çerni, Beli dhe Mallki Llom – kanë skalitur një peizazh shkëmbor të ashpër me shpella të fshehura dhe lugina të qeta, ku jehon vetëm kënga e zogjve. Në këto kanione, gjatë shekujve, janë vendosur njerëz që kanë lënë gjurmë misterioze – dhjetëra manastire shkëmbore, qeli dhe kisha shkëmbore, të fshehura larg syve të botës, në cepat më të thellë të rajonit Pollomie. Përveç kishave shkëmbore të njohura të Ivanovos dhe Manastirit të Basarbovos, rajoni fsheh edhe shumë vendbanime të tjera të shenjta, të arritshme përmes shtigjeve të pjerrëta.
Në vende të tjera, si kompleksi manastiror pranë fshatit Beljanovo, hasim qeli të gdhendura në lartësi prej 35 metrash, që fshihen pas mureve shkëmbore. Evgeni Georgiev, kurator në Muzeun Historik Rajonal në Ruse, prej vitesh studion këto thesare shkëmbore dhe zbulon sekretet e tyre.
“Falë iniciativave vullnetare për mirëmbajtjen e kalueshmërisë në luginë, turistët mund të arrijnë deri te shumë objekte interesante –thotë Evgeni Georgiev. – Një shembull i tillë është Manastiri i Madh i Nisovos, përgjatë lumit Mallki Llom, rreth gjashtë kilometra nga fshati Nisovo, prej nga nis një shteg i mrekullueshëm drejt manastirit shkëmbor. Shtegu kalon pranë Manastirit të Vogël të Nisovos – ndoshta pjesë e një qendre më të madhe shkëmbore. Është ndërtuar e ashtuquajtura Via Ferrata (sistem me litarë metalikë, ura, shkallë dhe parmakë, që lejon hyrjen në terrene shkëmbore të vështira për t'u arritur – shën. red.). Përmes saj, me guidë dhe pajisje të përshtatshme, mund të arrihet një tempull i ruajtur mirë, pa afreske, por me absidë dhe altar të ruajtur në mënyrë të shkëlqyer.
Pas 10–15 minutash arrihet pjesa kryesore e Manastirit të Madh të Nisovos, me mundësi ngjitjeje përmes shkallëve të vjetra murgeshore deri te kisha kryesore. Përgjatë rrjedhës së lumit Beli Llom arrihet deri te Kalugerica – një tempull shkëmbor me pjesë altari të ruajtur mirë, qeli të shumta, afreske dhe një mbishkrim me emrin Ispor– forma popullore e emrit të khanit Asparuh (themeltari i shtetit bullgar – shën. red.). Afër derdhjes së lumit Çerni Llom ndodhet Manastiri Shkëmbor Gramovec, me shteg të përshtatshëm, parmakë mbrojtës dhe një nga kishat shkëmbore më të gjera, me tavan kupolë – një risi e rrallë për këtë lloj tempulli."
Rreth qytetit mesjetar Çerven ndodhet një kompleks i ndërlikuar manastiror – një "labirint" i vërtetë prej vendbanimesh të shenjta, të gdhendura lart në shkëmbinj, mësojmë nga Georgiev. Ndër to është i ashtuquajturi “Moskov Dol”, me kishë dhe afreske nga gjysma e dytë e shekullit XIV, si edhe vendet e njohura nga vendasit si “Manastiri i Parajsës së Madhe”, “Manastiri i Parajsës së Vogël”, “Koshuta”, “Manastir-Kishë”, “Manastiri i Çervenit” dhe të tjera. Mendohet se këtu ka ekzistuar një lavra – një manastir i madh ortodoks me status të privilegjuar. Ky kompleks dëshmon për një jetë murgjërore të organizuar fuqishëm gjatë Mbretërisë së Dytë Bullgare (1185–1396).
Evgeni Georgiev thekson se përcaktimi i kronologjisë së këtyre vendbanimeve shkëmbore është i vështirë për shkak të mungesës së një shtrese kulturore, pasi ato janë gdhendur drejtpërdrejt në shkëmb, gjë që e vështirëson datimin.
“Në mënyrë të përgjithshme mund të themi se këto vendbanime të shenjta janë shfaqur, me shumë gjasë, që në kohën e antikitetit të vonë – shekujt IV–VI, por janë ripërdorur në mënyrë të pjesshme dhe të përsëritur gjatë periudhave të mëvonshme, të paktën disa prej tyre. Me 100% siguri dimë që manastiret shkëmbore janë përdorur që në kohën e Mbretërisë së Parë Bullgare (881–1018). Por lulëzimi i madh ndodh gjatë Mbretërisë së Dytë Bullgare, ndoshta edhe për shkak të mbështetjes mbretërore. Manastiri i Ivanovos është themeluar me një donacion bujar nga mbreti Ivan Asen II. Shumë prej grafiteve, përfshirë edhe datimet e afreskeve, tregojnë qartë se një pjesë e madhe e këtyre manastireve shkëmbore i përkasin pikërisht kësaj periudhe, ose të paktën janë ripërdorur në atë kohë.Isihazmi, si një rrymë zyrtare, i përket shekullit XIV, por ky lloj jete murgeshore në izolim ka ekzistuar që në kohët e krishterimit të hershëm – një praktikë drejt së cilës, në epoka më të vona, murgj të përkushtuar janë përpjekur të kthehen. Prandaj një protoisihazëm latent ka qenë i pranishëm edhe para përhapjes së tij zyrtare në trojet tona. Themeluesi i isihazmit në Bullgari, Shën Theodosij i Tërnovos, pa dyshim ka qëndruar në Luginën e lumenjveÇerni, Beli dhe Mallki Llom – për këtë ekzistojnë dëshmi” – tha në përfundim Evgeni Georgiev.
Lexoni më shumë nga koleksioni i Radio Bullgarisë:
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: Veneta Nikollova
Hisarja është qyteti i parë bullgar që u bë pjesë e Shoqatës Evropiane të Qyteteve Historike Termale, raportoi BTA. Kryetarja e bashkisë, Iva Vëllçeva, e shpalli këtë lajm gjatë Kongresit të 12-të vjetor të Bashkimit Bullgar për Balneologji dhe..
Bregdeti ynë jugor i Detit të Zi vazhdon të presë qindra mijëra pushues edhe pas kulmit të sezonit turistik. Në fillim të shtatorit qytetet turistike ende marrin frymë me ritmin e verës, ndërsa bashkia bregdetare Carevo është përplot me turistë –..
“Heraklea Sintika është një trashëgimi natyrore dhe shkencore me rëndësi botërore!” – thekson Katja Stojanova, drejtoreshë e Muzeut Historik në Petriç dhe drejtuese e projektit “Restaurimi, konservimi, ruajtja, popullarizimi dhe zhvillimi i..
E quajnë “Foleja prej guri” e Ballkanit, për shkak të shtëpive dhe mureve të bukura prej guri, që qëndrojnë të qeta në përqafimin e malit. Në Iglika, jeta..