Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Lugina e murgjve – nëpër gjurmët e kishave shkëmbore në rajonin Pollomie

7
Disa nga manastiret shkëmbore në zonë janë të arritshme për turistët
Foto: Veneta Nikollova

Në verilindje të Bullgarisë, lumi Rusenski Llom dhe degët e tij – Çerni, Beli dhe Mallki Llom – kanë skalitur një peizazh shkëmbor të ashpër me shpella të fshehura dhe lugina të qeta, ku jehon vetëm kënga e zogjve. Në këto kanione, gjatë shekujve, janë vendosur njerëz që kanë lënë gjurmë misterioze – dhjetëra manastire shkëmbore, qeli dhe kisha shkëmbore, të fshehura larg syve të botës, në cepat më të thellë të rajonit Pollomie. Përveç kishave shkëmbore të njohura të Ivanovos dhe Manastirit të Basarbovos, rajoni fsheh edhe shumë vendbanime të tjera të shenjta, të arritshme përmes shtigjeve të pjerrëta.

Manastiri Shkëmbor i Besarbovos

Në vende të tjera, si kompleksi manastiror pranë fshatit Beljanovo, hasim qeli të gdhendura në lartësi prej 35 metrash, që fshihen pas mureve shkëmbore. Evgeni Georgiev, kurator në Muzeun Historik Rajonal në Ruse, prej vitesh studion këto thesare shkëmbore dhe zbulon sekretet e tyre.

Kishat shkëmbore të Ivanovës janë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s

“Falë iniciativave vullnetare për mirëmbajtjen e kalueshmërisë në luginë, turistët mund të arrijnë deri te shumë objekte interesante –thotë Evgeni Georgiev. – Një shembull i tillë është Manastiri i Madh i Nisovos, përgjatë lumit Mallki Llom, rreth gjashtë kilometra nga fshati Nisovo, prej nga nis një shteg i mrekullueshëm drejt manastirit shkëmbor. Shtegu kalon pranë Manastirit të Vogël të Nisovos – ndoshta pjesë e një qendre më të madhe shkëmbore. Është ndërtuar e ashtuquajtura Via Ferrata (sistem me litarë metalikë, ura, shkallë dhe parmakë, që lejon hyrjen në terrene shkëmbore të vështira për t'u arritur – shën. red.). Përmes saj, me guidë dhe pajisje të përshtatshme, mund të arrihet një tempull i ruajtur mirë, pa afreske, por me absidë dhe altar të ruajtur në mënyrë të shkëlqyer.

Manastiri Shkëmbor i Nisovos

Pas 10–15 minutash arrihet pjesa kryesore e Manastirit të Madh të Nisovos, me mundësi ngjitjeje përmes shkallëve të vjetra murgeshore deri te kisha kryesore. Përgjatë rrjedhës së lumit Beli Llom arrihet deri te Kalugerica – një tempull shkëmbor me pjesë altari të ruajtur mirë, qeli të shumta, afreske dhe një mbishkrim me emrin Ispor– forma popullore e emrit të khanit Asparuh (themeltari i shtetit bullgar – shën. red.). Afër derdhjes së lumit Çerni Llom ndodhet Manastiri Shkëmbor Gramovec, me shteg të përshtatshëm, parmakë mbrojtës dhe një nga kishat shkëmbore më të gjera, me tavan kupolë – një risi e rrallë për këtë lloj tempulli."

Afresket e kishës shkëmbore të Moskov Dolit datojnë që nga shekulli i XIV-të.

Rreth qytetit mesjetar Çerven ndodhet një kompleks i ndërlikuar manastiror – një "labirint" i vërtetë prej vendbanimesh të shenjta, të gdhendura lart në shkëmbinj, mësojmë nga Georgiev. Ndër to është i ashtuquajturi “Moskov Dol”, me kishë dhe afreske nga gjysma e dytë e shekullit XIV, si edhe vendet e njohura nga vendasit si “Manastiri i Parajsës së Madhe”, “Manastiri i Parajsës së Vogël”, “Koshuta”, “Manastir-Kishë”, “Manastiri i Çervenit” dhe të tjera. Mendohet se këtu ka ekzistuar një lavra – një manastir i madh ortodoks me status të privilegjuar. Ky kompleks dëshmon për një jetë murgjërore të organizuar fuqishëm gjatë Mbretërisë së Dytë Bullgare (1185–1396).

Evgeni Georgiev thekson se përcaktimi i kronologjisë së këtyre vendbanimeve shkëmbore është i vështirë për shkak të mungesës së një shtrese kulturore, pasi ato janë gdhendur drejtpërdrejt në shkëmb, gjë që e vështirëson datimin.

Pollomieto dhe territoret përreth strehojnë dhjetëra manastire të gdhendura lart në shkëmbinj

Në mënyrë të përgjithshme mund të themi se këto vendbanime të shenjta janë shfaqur, me shumë gjasë, që në kohën e antikitetit të vonë – shekujt IV–VI, por janë ripërdorur në mënyrë të pjesshme dhe të përsëritur gjatë periudhave të mëvonshme, të paktën disa prej tyre. Me 100% siguri dimë që manastiret shkëmbore janë përdorur që në kohën e Mbretërisë së Parë Bullgare (881–1018). Por lulëzimi i madh ndodh gjatë Mbretërisë së Dytë Bullgare, ndoshta edhe për shkak të mbështetjes mbretërore. Manastiri i Ivanovos është themeluar me një donacion bujar nga mbreti Ivan Asen II. Shumë prej grafiteve, përfshirë edhe datimet e afreskeve, tregojnë qartë se një pjesë e madhe e këtyre manastireve shkëmbore i përkasin pikërisht kësaj periudhe, ose të paktën janë ripërdorur në atë kohë.Isihazmi, si një rrymë zyrtare, i përket shekullit XIV, por ky lloj jete murgeshore në izolim ka ekzistuar që në kohët e krishterimit të hershëm – një praktikë drejt së cilës, në epoka më të vona, murgj të përkushtuar janë përpjekur të kthehen. Prandaj një protoisihazëm latent ka qenë i pranishëm edhe para përhapjes së tij zyrtare në trojet tona. Themeluesi i isihazmit në Bullgari, Shën Theodosij i Tërnovos, pa dyshim ka qëndruar në Luginën e lumenjveÇerni, Beli dhe Mallki Llom – për këtë ekzistojnë dëshmi” – tha në përfundim Evgeni Georgiev.

Lexoni më shumë nga koleksioni i Radio Bullgarisë:


Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova

Foto: Veneta Nikollova




Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

"Vitosha Run 2025" dhe një panair shënojnë 130 vjet turizëm të organizuar në vendin tone

Duke ndjekur hapat e Alekos dhe ekspeditës së tij legjendare deri në Çerni Vrëh – kështu qindra dashamirës të malit do të festojnë 130 vjetorin e ekskursionit të parë të organizuar turistik në vendin tonë. Festimet jubilare filluan me një program në..

botuar më 25-08-31 7.00.PD

"No more hotels" dhe një rritje prej 44% të turistëve gjermanë – taktika e suksesshme e vendpushimit "Allbena"

Është ende herët për të bërë një përmbledhje, por gjithçka tregon se sezoni ka qenë i suksesshëm për vendpushimet në Bregdetin tonë Verior të Detit të Zi, ku "Allbena" po shndërrohet në një shembull emblematik të rimëkëmbjes së shumëpritur pas pandemisë...

botuar më 25-08-29 7.05.PD

Prehje nën yje – glamping-u është forma e re e arratisjes nga qyteti

Ato shfaqen në vendet më të pazakonshme – lart në mal apo në breg të detit, nën kurorat e pemëve apo direkt nën qiellin me yje. Bëhet fjalë për një dukuri relativisht të re në turizmin bullgar – të ashtuquajturat glamping-e . Termi vjen nga anglishtja..

botuar më 25-08-28 4.20.MD