Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Parku i pazakontë nënujor tërheq zhytës pranë ishullit Shën Anastasia

Foto: Pavell Samarin



Në akvatorin e ishullit Shën Anastasia shpaloset një spektakël përrallor: në 18 metra nën sipërfaqen e Detit të Zi ngrihet një kishëz ortodokse, ndërsa përballë saj është parkuar një “Çajka” sovjetike me grila kromi. Në afërsi të menjëhershme duket silueta e një ZIL-157 ushtarak, dhe kur i afrohesh kabinës përballesh sy më sy me shoferin – një kukull zhytësi me pajisje të plota. Ky teatër nënujor është krijuar nga shoqata “Miqtë e detit – Burgas” me mbështetjen e bashkisë Burgas dhe u hap zyrtarisht gjatë muajit qershor, duke e kthyer fundin e detit pranë ishullit në një oaz për zhytësit dhe organizmat detarë, mësojmë nga Stojan Dimitrov, kryetar i shoqatës. Dhe më tej:

Stojan Dimitrov

"Rreth vetë ishullit ka mjaft bukuri nënujore – shkëmbinj, jetë, alga, por duke u larguar pak nga ai, ndesh në një fund të sheshtë të mbuluar vetëm me guaska midhesh.  




Që në vitin 2023 zhytëm një kishëz me përmasa të plota, e pajisur me ikona dhe kryqe, e bekuar sipas të gjitha kanoneve ortodokse. E vendosëm në 15 m thellësi, rreth 150 m larg nga ishulli. Pranë saj është edhe statuja e shenjtores Anastasia. Ka një bojë për ankorim – mund të shkosh tek ajo me varkë ose edhe me anije.” 


Dhe meqë kohëzgjatja mesatare e një zhytjeje është rreth 50-60 minuta, ekipi vendosi ta “mbushë” ekskursionin nënujor të zhytësve me të tjera atraksione, duke e kthyer vendin në një park nënujor. Kështu nisi “Faza 2” e projektit – kërkimi i objekteve të reja. 



“Falë Ministrisë së Mbrojtjes dhe NSO-së morëm si dhuratë një ZIL-157 me stacion radio-rele dhe një ‘Çajka’ qeveritare ose të ashtuquajturin GAZ-13. Me anëtarët e shoqatës i përgatitëm për zhytje – hoqëm plastikë, vajra dhe materiale të dëmshme për detin. Nga fillimi i vitit 2024 deri në fund të majit i pastruam makinat dhe morëm të gjitha lejet. Vendosëm edhe dy kupe nga xhipa, të cilët gjithashtu janë pastruar. Në ZIL ka një kukull me pajisje zhytjeje për selfie argëtuese. Tek të gjitha objektet ka linja orientuese, sepse rreth ishullit ka anomali magnetike dhe busulla nuk punon gjithmonë.” 



Automjetet janë vendosur mbi postamente betoni dhe janë qëllimisht të shpuara, që banorët e detit të mund të hyjnë brenda, të fshihen dhe të jetojnë në to. Në zhytjet e para pas hapjes zyrtare, zhytësit raportojnë se në karrocerinë e ZIL-it, në gomat e “Çajkës” dhe rreth shishes së verës (e vendosur posaçërisht për t’u vjetëruar në temperaturë konstante 8°C) tashmë janë vendosur çdo lloj organizmash – oktapodë të vegjël, midhje, kuaj deti etj. Zbrazëtirat në beton janë si dhoma hoteli për faunën detare, tregon Stojan Dimitrov: 

“Ky ishte qëllimi ynë i dytë kryesor – përveç atraksionit për zhytësit, të krijojmë një shkëmb artificial, që të bëhet habitat për banorët e detit. Kjo është praktikë botërore për rikthimin e jetës nënujore. Kisha që zhytëm në vitin 2023 dëshmoi se kjo funksionon. E tëra tashmë është e mbuluar, dhe tani pranë këtyre automjeteve, vendet ku banorët e detit mund të strehohen janë shumë më të shumta. Ekspozitat e radhës me shumë gjasë do të jenë mjete ajrore.”

 
Parku nënujor është i aksesueshëm për zhytës të certifikuar edhe me nivelin më të ulët (Open Water). Thellësia maksimale e tij është 18 m – pikërisht aty ku është vendosur ZIL-i. Shoqata regjistroi zhytësit e parë të interesuar që në javët pas hapjes, duke shpresuar në rritjen e interesit deri në fund të sezonit. 

Shihni më tepër nga arkivi i Radio Bullgarisë:


Përgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi Nikollofski

Foto: “Miqtë e detit – Burgas”, Pavell Samarin, Tatjana Bajkusheva, Pllamen Mihovski



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Biblioteka Nevena Kokanova në fshatin Iglika

Fshati prej guri Iglika ruan kujtimin për legjendën e kinemasë Nevena Kokanova

E quajnë “Foleja prej guri” e Ballkanit, për shkak të shtëpive dhe mureve të bukura prej guri, që qëndrojnë të qeta në përqafimin e malit. Në Iglika, jeta rrjedh qetë dhe pa zhurmë, larg rrëmujës së shekullit XXI. Vetëm rreth 15 kilometra larg..

botuar më 25-10-06 7.00.PD

Plovdiv me një atraksion të ri – një orë antike uji mat kohën në Sahat Tepe

Në majën e kodrës Sahat Tepe në Plovdiv , këto ditë u përurua një orë e lashtë uji – klepsidër, e rikonstruktuar sipas modeleve antike. Kjo është e vetmja orë e tillë e vendosur në ambient të hapur në Bullgari, dhe tashmë është atraksioni më i ri..

botuar më 25-10-05 7.10.PD

Uji mineral dhe turizmi – burimi i jetesës në qytetin Devin sot

Devin - "qyteti i ujërave minerale", ndodhet në një nga rajonet më piktoreske të Bullgarisë - i fshehur në pjesën jugperëndimore të vargmalit më të gjerë bullgar, Rodopet, përgjatë lumit Vëça. Në afërsi të tij ndodhen dhjetëra monumente natyrore dhe..

botuar më 25-09-30 7.15.PD