Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Dita e Shën Dhimitrit – një festë e dashur e vjeshtës që festohet në të gjithë Bullgarinë

Foto: arkiva

Dita e Shën Dhimitrit, më 26 tetor, festohet në të gjithë Bullgarinë, ndërsa lipsanet e tij, që ruhen në Selanik, janë një objekt i përhershëm pelegrinazhi për bullgarët që shpesh udhëtojnë drejt Greqisë Veriore.

Në kalendarin popullor bullgar, Dita e Shën Dhimitrit (Dimitrovden) lidhet me mbylljen e vitit bujqësor. Dikur, kjo ishte koha e “llogaritjeve” – punëtorët në ara e ferma shpërndaheshin dhe, pasi merrnin shpërblimet e tyre, ktheheshin në shtëpi. Kjo ishte gjithashtu një arsye për festime, valle dhe gëzim.
Sipas besimeve popullore bullgare, Shën Dhimitri zotëron fuqi shpirtërore mbinjerëzore – figura e tij na kujton priftërinjtë e lashtë protobullgarë, shëruesit dhe parashikuesit legjendarë. Populli beson se Dhimitri dhe Gjergji janë vëllezër binjakë, dhe festat e tyre shënojnë dy kalimet kryesore të vitit: Shën Gjergji sjell verën, ndërsa Shën Dhimitri konsiderohet mbrojtësi i dimrit, të ftohtit dhe borës.

Në prag të dimrit, 26 tetori është një ditë veçanërisht solemne në vendbanimet ku kisha ortodokse është ndërtuar në nder të Shën Dhimitrit të Selanikut.
160-vjetori i shugurimit të kishës “Shën Dhimitri” festohet sot me liturgji solemne nga banorët e fshatit Gorna Lipnica, që ndodhet rreth 30 kilometra nga qyteti i vjetër mbretëror Veliko Tërnovo.

Banorët vendas tregojnë se kisha e tyre është ndërtuar nga mjeshtri Kolju Fiçeto ose nga nxënësit e tij, të cilët kishin përvetësuar mjeshtërinë dhe stilin e punës së ndërtuesit të famshëm të Rilindjes bullgare.

Të vendosur për të ngritur kishën e tyre ortodokse, banorët e fshatit duhej të përballeshin me rezistencën e osmanëve vendas dhe të pushtetit në Tërnovo. Njerëzit më të respektuar nga Gorna Lipnica shkuan në këmbë deri në Stamboll, për të marrë fermanin e sulltanit. Kisha u ndërtua në një vend të gjerë në skajin e fshatit, aty ku ndodheshin edhe varrezat e bullgarëve. Që të mos dukej e lartë dhe të mos zemëronte autoritetet osmane, ndërtuesit vepruan me mençuri dhe shpërndanë dheun e gërmuar përreth godinës.

Sot, kjo kishë është një nga kryeattraksionet e fshatit – një vend ku ndalojnë pelegrinët që ndjekin rrugën e lipsaneve të Shën Ivan Rillskit – “El Camino bullgar”, rruga pelegrine nga Veliko Tërnovo deri në Manastirin e Rillës. Po ashtu, aty ndalen edhe artistë nga Bullgaria dhe nga jashtë vendit, që marrin pjesë në rezidencat artistike të zhvilluara në dekadën e fundit.


Përpiloi: Elena Karkallanova

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello

Foto: arkiva, ikoni-bg.com, heterotopias.eu



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Vëllazëria e Bardhë pret Vitin e Ri Hyjnor

Ndjekësit e mësuesit shpirtëror Beinsa Duno (Petër Dënov), të njohur si Vëllazëria e Bardhë, e presin Vitin e Ri Hyjnor më 19 gusht tek Shtatë Liqenet e Rilës – në ditën e Shpërfytyrimit të Krishtit sipas kalendarit të vjetër. “Kjo ngjarje qendrore..

botuar më 25-08-19 5.55.PD

Fari i Shabllës hapi sërish dyert për vizitorët

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fareve Detare, fari më i vjetër përgjatë brigjeve detare bullgare në Shablla hapi dyert për vizitorët. Komuna e Shabllës njoftoi se sot, nga ora 09:00 deri në 17:00, është mundësia e fundit për këtë vit që turistët të..

botuar më 25-08-18 11.08.PD

Në Petrova Niva, përkujtohet 122 vjetori i Kryengritjes së Ilindenit

Në vendin historik Petrova Niva në malin e Stranxhës, sot do të shënohet 122-vjetori i Kryengritjes së Ilindenit. Ceremonia zhvillohet nën patronazhin e Presidentit të Republikës, dhe në të do të marrë pjesë edhe Presidenti Rumen Radev, njoftoi zyra e..

botuar më 25-08-16 11.25.PD